Politika Raporterja e PE për Shqipërinë: Shumë shpresa që të kemi lajm të...

Raporterja e PE për Shqipërinë: Shumë shpresa që të kemi lajm të mirë në fund të vitit

Raporterja e Parlamentit Europian për Shqipërinë Isabel Santos thotë se ende ka shpresë që vendi të çel negociatat e anëtarësimit me BE-në nën Presidencën gjermane. Në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë Santos shtoi se Presidenca gjermane po punon që të kemi lajme të mira.

“Ajo që unë di, dhe e pamë ministrin e jashtëm të Gjermanisë dhe shohim që Presidenca gjermane po punon shumë që të kemi lajme të mira në fund të këtij viti në dhjetor. Unë ende po pres për lajm të mirë. Nuk jam e sigurtë se çfarë do të ndodhë, siç e dini në politikë ne kurrë nuk kemi “momente të mira”. Momente të mira janë momentet kur merren vendimet. Nuk është koha për të qenë të trishtuar, ose të palumtur. Duhet të presim çfarë do të ndodhë. Unë ende kam shumë shpresa që të kemi lajm të mirë në fund të këtij viti dhe edhe nëse kjo nuk ndodh, gjatë presidencës portugeze do të punojmë shumë që kjo të ndodhë”, – tha Santos në Përballë.

Raporterja Santos i vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për të plotësuar kushtet përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare. Ndërkohë që shton se parakushti i reformës zgjedhore u arrit me marrëveshjen e 5 qershorit.

“Pa dashur të futem në debatin e brendshëm në Shqipëri, mund të them se parakushti për reformën elektorale u arrit me marrëveshjen e 5 qershorit. Ky kusht u plotësua. Çfarë ndodhi më pas me amendimet për fat të keq kjo nuk u arrit me marrëveshje politike, por kjo u arrit sipas procedurave në Parlament. Kjo është e qartë. Çfarë është e rëndësishme për raportin që po bëj dhe për Këshillin është se ky kusht është i plotësuar.” – theksoi Isabel Santos në Përballë.