Aktualitet Raporti: Bandat e dhunshme shqiptare kontrollojnë trafikun e drogës në Britani

Raporti: Bandat e dhunshme shqiptare kontrollojnë trafikun e drogës në Britani

Grupet kriminale shqiptare po kontrollojnë tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë konkluzion ka arritur Agjencia Kombëtare e Krimit në Britaninë e Madhe, sipas të cilës shqiptarët kanë ndikim të madh në krimin e organizuar në shtetin ishullor.

Raporti thekson gjithashtu se bandat shqiptare kanë ndikim të madh veçanërisht në tregun e kokainës, raporton BBC.

Zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar thanë se bandat e shqiptarëve janë kryesisht të dhunshme.

Londra është qendra kryesore e këtyre bandave, thotë raporti, por ato janë krijuar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Në këtë raport evidentohen edhe grupe të tjera rivale të bandave rivale, si serbe dhe turke që janë të përfshira gjithashtu në trafikun e kokainës përmes rrugëve detare, kurse grupe të tjera turke dhe pakistaneze mbizotërojnë në trafikun e heroinës.

Raporti nënvizon se korrupsioni në mesin e personelit që punojnë në portet dhe aeroportet është një “dobësi kyç”, sepse e bën më të lehtë për bandat që të kontrabandojnë lëndë narkotike dhe të kalojnë emigrante të paligjshëm.

Ky raport përshkruan me tej natyrën dhe nivelin e krimit të organizuar në Britani, duke paralajmëruar edhe kërcënimin kibernetik që vjen nga Rusia.