Kryesore Raporti i BE/ Dhuratat, forma e re e korrupsionit në Shqipëri

Raporti i BE/ Dhuratat, forma e re e korrupsionit në Shqipëri

Zyrtarët shqiptarë kanë nisur të ndryshojnë teknikat e korrupsionit, para furtunës së reformës në drejtësi. Çdo ditë që kalon aq më shumë shtohen të dridhurat në radhët e të korruptuarve, të cilët po tentojnë të gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për të justifikuar pasuritë.

Organizata Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI), pjesë e Bashkimit Evropian, ka publikuar një raport sa i takon nivelit të korrupsionit në Shqipëri për vitin 2016. Përveçse theksohet që ai është në nivele shumë të larta, sipas raportit zyrtarët kanë përsosur teknikat, duke u fokusuar vetëm te dhuratat.

Sipas një sondazhi të kryer, por dhe studimeve të zhvilluara, në Shqipëri dhuratat zënë vendin e dytë të korrupsionit, sidomos në nivele shumë të larta. E para është dhënia e parave, pastaj janë dhuratat, një mënyrë shumë e mirë kjo për t’i shpëtuar ndëshkimit si nga dhënësi ashtu edhe nga marrësi i saj. “Paraja është mënyra më e përdorur për ryshfetin në Shqipëri.

Ajo zë 34% të rasteve, ndërsa më pas vijnë dhuratat me 20% dhe në fund bërja e favoreve me 17%. Kohët e fundit është përhapur ndjeshëm dhënia e dhuratave, si një formë ryshfeti. Në Shqipëri, një pjesë e madhe e qytetarëve nuk i konsiderojnë dhuratat si formë ryshfeti.

Për shembull, 34% e të anketuarve nuk besonin se dhënia e një dhurate për një mjek me qëllim kryerjen e një shërbimi më të mirë, është korrupsion”, thekson raporti shkruan “sot”. Megjithatë sipas tij, kjo është një mënyrë e gjetur kohët fundit nga pjesa më e madhe e zyrtarëve shqiptarë, duke filluar nga më të thjeshtit, si mjekë e mësues, tek nivelet e larta, si gjyqtarë, prokurorë, politikanë dhe drejtorë të administratës.

Interesant është fakti se shifrat në fjalë janë për vitin 2016, i cili përkon me vetingun dhe reformën në drejtësi. Para furtunës së reformës, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë kanë nisur të marrin dhurata në vend të parave, të cilët mund të justifikohen shumë herë më lehtë gjatë procesit të kontrollit.

Raporti i publikuar nga SELDI, theksohet se Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Po ashtu thuhet se qytetarët kanë humbur besimin se ai do luftohet. “Shifrat në Bosnje tregojnë se politikat anti-korrupsion po dështojnë në mendjen e votuesve.

Kjo ndodh edhe në Shqipëri dhe Bullgari, ku më shumë se 2/3 e publikut besojnë se asgjë nuk mund të bëhet për reduktimin e korrupsionit.

Dy vendet e vetme ku duket se ka njëfarë besimi te shoqëria, janë Mali i Zi dhe Turqia, gjë që tregon për vështirësinë e të pasurit anti-korrupsionin si platformë politike. Kjo mund të sjellë rezultate për të fituar zyrën por nuk ka gjasa të sjellë rezultate, prandaj dhe përshkallëzohet mungesa e vullnetit të politikave për t’u përfshirë në politika anti-korrupsion”, thuhet në dokument.

Nga sondazhi që është bërë në publik, thuhet se qytetarët më shumë besim kanë te OJF dhe te gazetarët, të cilët i konsiderojnë jo të korruptuar. “Gjithashtu, në vende me përqindje të lartë ryshfeti si Shqipëria, vetëm anëtarët e OJQ-ve, gazetarët e mësuesit konsiderohen si më pak të korruptuar sesa sipërmarrësit.

Kjo sjell pasoja serioze në politika, siç është reduktimi i mundësisë së angazhimit të sektorit privat në temën anti-korrupsion. Ky është një tjetër aspekt i efektit shkatërrimtar të korrupsionit, jo vetëm në institucionet demokratike por dhe në zhvillimin e ekonomisë së tregut, të cilat janë vlera themeltare të procesit të aderimit në BE”, theksohet më tej.