Bota Raporti për Trump/ Demokratët të pakënaqur, akuza për njëanshmëri

Raporti për Trump/ Demokratët të pakënaqur, akuza për njëanshmëri

Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësueseve Nancy Pelosi dhe lideri i demokratëve në Senat Chuck Schummer thanë së përmbledhja e paraqitur nga kreu i departmentit të drejtësisë, William Barr, ngre po aq pyetje sa përgjigjet që jep.

Ata kërkojnë të kenë qasje tek raporti i plotë i prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

“Duke pasur parasysh historikun e zotit Barr për njëanshmëri ndaj hetimit të Prokurorit të Posaçëm, ai nuk është një vëzhgues neutral dhe nuk është në gjendje të bëjë përcaktime objektive rreth raportit”, thuhet në deklaratë.

Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës se përfaqësueseve, Jerry Nadler deklaroi  se komisioni i tij do të thërrasë zotin Barr të dëshmojë në një të ardhme të afërt, për shkak të atyre që i quajti mospërputhje shumë shqetësuese.

Disa kandidatë demokratë për president, thanë gjithashtu të dielën se përmbledhja e raportit të Mueller, e filtruar përmes “prokurorit të përgjithshëm”, është i pakënaqshëm.