Politika Reagime brenda dhe jashtë Maqedonisë: Ivanov anti-shqiptar

Reagime brenda dhe jashtë Maqedonisë: Ivanov anti-shqiptar

Refuzimi i kreut të shtetit maqedonas për t’i dhënë Zoran Zaevit të drejtën për krijimin e Qeverisë së re ka zgjuar reagimin e spektrit politikë shqiptar jo vetëm në Maqedoni.

Kështu, subjekti më i votuar shqiptar në këtë shtet, BDI, ka reaguar përmes zëdhënësit të saj, Bujar Osmani. Ai ka vlerësuar se vendimi i Ivanovit vetëm sa do ta thellojë krizën politike.

“Platforma e partive shqiptare nuk është shkruar në Tiranë, por e kemi shkruar ne, partitë shqiptare në Maqedoni”, ka thënë Osmani.

Edhe Lëvizja ‘Besa’ ka reaguar me shqetësim ndaj vendimit të Ivanovit, duke i përkujtuar bashkësisë ndërkombëtare se kjo përben një rrezik potencial për komunitetin shqiptar në Maqedoni.

“Në të vërtetë, Ivanov është shkelësi më i madh i Kushtetutës, qoftë kur ia dha mandatin padrejtësisht kryetarit të VMRO-DPMNE-së ose kur nuk ia dha kryetarit të LSDM-së”, thuhet në reagimin e Lëvizjes ‘Besa’.

Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët e ka cilësuar adresimin e Ivanovit më shumë si fjalim i një aktivisti mediokër të pushtetit sesa i një kryetari të vendit.

Ky subjekt ka qartësuar se Deklarata e Partive shqiptare vendosë themelet e shtetit ligjor dhe barazinë mes etniteteve.

“Deklarata e partive shqiptare nuk cenon shtetin e as identitetin dhe të kaluarën e historike të asnjë etniteti të caktuar”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Nga Kosova ende nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar, përveç atij të Vetëvendosjes.

Kreu i këtij subjekti opozitar, Visar Ymeri teksa ka komentuar vendimin e Ivanovit, ka thënë se kjo tregon për shtypjen e vazhdueshme të shqiptarëve në Maqedoni.

“Vendimi i Ivanov për ta pamundësuar qeverinë e drejtuar nga Zaev për shkak të Platformës së shqiptarëve është krahu institucional i protestave raciste dhe shoviniste të nacionalistëve maqedonas”, ka thënë Ymeri.