Opinione Reagoni o shtete shqiptare!

Reagoni o shtete shqiptare!

Nga Shaban Murati

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në 21 dhjetor i drejtoi një kërcënim të drejtpërdrejtë për luftë Kosovës, duke deklaruar se “çdo njeri po thotë se ne me lehtësi do t’i arrijmë me armë qëllimet dhe unë e njoh më mirë se kushdo tjetër në vend gjendjen e ushtrisë dhe të policisë”.

Është një kërcënim flagrant në nivelin më të lartë dhe një shantazh ushtarak serb ndaj shtetit të pavarur të Kosovës për ta detyruar udhëheqjen e saj të dorëzohet dhe të bëjë lëshime në sovranitetin dhe në integritetin territorial të Kosovës. Është një tregues i qartë se çfarë lloj “marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve” po kërkon të imponojë Serbia

Kemi një moment diplomatik, që kërkon reagim të menjëhershëm zyrtar nga Prishtina dhe nga Tirana, sepse po kërcënohet me luftë shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar, pjesë e të cilit është Kosova. Kemi një moment diplomatik, që kërkon protesta zyrtare të Kosovës dhe të Shqipërisë në adresë të Serbisë dhe nevojën për t’i kujtuar asaj frontin e dy shteteve shqiptare. Kemi një moment diplomatik, që kërkon nga Prishtina dhe nga Tirana përçapje diplomatike në Bruksel për të shkundur diplomacinë dhe disa drejtues të BE, të cilët po shfaqen të trullosur nga opiumi mashtrues i diplomacisë serbe.

Kemi një moment diplomatik, që kërkon përçapje në ambasadat perëndimore të akredituara në Prishtinë dhe në Tiranë, për t’u freskuar kujtesën për fantazmat dhe retorikën luftënxitëse të përditëshme të ish ministrit të Millosheviçit, që sot është president i Serbisë. Kemi një moment diplomatik, që Kosova dhe Shqipëria të shtrojnë me forcë protestat e tyre për Serbinë në mbledhjet butaforike të Ballkanit Perëndimor, mbledhje që po shndrrohen si forumet rajonale të Bashkimeve Profesionale të vendeve socialiste në kohën e kampit sovjetik.

Le ta pranojmë me zë të lartë realitetin e hidhur: Diplomacia e BE në dialogun Kosovë-Serbi ka marrë rolin e arbitrit të njëanshëm, që jo vetëm po favorizon Serbinë, por hapur po inkurajon Beogradin të godasë Kosovën me sa ka fuqi. Nuk shpjegohet ndryshe skandali diplomatik, kur presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në 19 dhjetor, në takimin në Bruksel me presidentin serb, “përshëndeti lëvizjet e arsyeshme të Serbisë në marrëdhëniet me Prishtinën”. Po atë ditë, kryeministrja serbe pas takimit me presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, deklaroi se “BE mbështet dhe i është mirënjohëse Serbisë për mosmarrjen e kundërmasave kundër Prishtinës”. (Nuk ka përgënjeshtrim nga Brukseli).

E entuziazmuar nga kjo mbështetje absurde e disa drejtuesve të BE, Serbia e ka futur Kosovën në një trekëndësh diplomatik dhe po e godet për ditë. Taktika diplomatike serbe e përplasjes së këmbëve ka dhënë frutet e veta dhe këtë e dëshmon fakti se BE ka harruar se kush është shteti agresor, që zbatoi gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë, dhe po i sulet shtetit viktimë. Nuk mund të shpjegohet ndryshe alarmi falso i disa drejtuesve të BE, që i bëjnë jehonë zhurmës serbe për formimin e ushtrisë së Kosovës me 2500 veta, që do na rrezikoka Serbinë, e cila ka një ushtri prej 100 mijë vetësh, me armë të sofistikuara, me sisteme raketash ruse dhe me baza ruse në vend.

Kemi një situatë alarmante, ku ulja e kokës dhe e mendjes shqiptare po e dëmtojnë lojën diplomatike të Prishtinës dhe mund ta çojnë drejt humbjes. Heshtja dhe memecllëku infantil i Prishtinës dhe i Tiranës shkojnë në favor të agresionit diplomatik serb kundër shtetit të Kosovës.

Kosova dhe Shqipëria duhet të reagojnë me shpejtësi dhe në të gjitha drejtimet. Kosova dhe Shqipëria do të duhej të ishin në sulm frontal dhe të koordinuar diplomatik ndaj Serbisë. Problematikat e brendshme në Kosovë dhe në Shqipëri nuk janë justifikim për mosreagimin ndaj kërcënimeve ushtarake të Serbisë dhe ndaj ofensivës diplomatike serbe. Edhe në Serbi po zhvillohen protesta të opozitës, por presidenti dhe qeveria serbe po sulmojnë çdo ditë Kosovën. Kosova dhe Shqipëria duhet ta flakin nga vetja kompleksin e inferioritetit të të ashtuquajturit moderim, që është një sëmundje tipike e diplomacisë shqiptare.

Ndaj reagoni o shtete shqiptare, që Serbia të mos kujtojë se shqiptarëve dhe dy shteteve të tyre mund t’u bësh çdo gjë dhe ata vetëm heshtin. Reagoni o shtete shqiptare, për hir të përgjegjësisë ndaj kombit dhe historisë!