Sport Real-Barça/ Rivaldo: Mungesa e Suárez peshon më shumë sesa e Hazard

Real-Barça/ Rivaldo: Mungesa e Suárez peshon më shumë sesa e Hazard

Rivaldo, fituesi i “Topit të Artë” më 1999, beson se në “El Clasico” e së dielës, Real Madrid-Barcelona, do të peshojë më tepër mungesa e Luis Suarez se ajo e Eden Hazard në skuadrat respektive: “Së pari, sepse Suarez nuk ka asnjë zëvendësues tani në skuadër. Në rastin e Hazard, nuk mendoj se i mungon aq shumë Real Madridit. Belgu nuk është bërë akoma një lojtar përcaktues në Madrid, nuk është përshtatur 100%. Barcelona mbërrin në formë më të mirë dhe është më e qetë se Real Madridi, i cili do ta uajë më shumë disfatën e fundit ndaj Manchester City”.

Referuar sfidës së Ligës së Kampionëve në fjalë, Rivaldo evidenton mungesën e golit te Real Madridi. Sipas gjykimit të tij, Zidane dështoi me zëvendësimet: “Ai gaboi që nxori nga loja Vinicius, ndërsa ishte ende në fitore, sepse bashkatdhetari im po merrte lojën në zonën e “qytetarëve” dhe po lehtësonte presionin mbi mbrojtjen e Real Madridit”.

Tek Reali mungon Ronaldo

Braziliani theksoi pikën e dobët të Real Madridit: “Meqenëse Cristiano Ronaldo u largua, boshllëku i tij është një nga problemet kryesore. E kam fjalën për golat dhe goditjet nga të gjitha pozicionet. Kjo ndihet veçanërisht tani, që Benzema duket se ka humbur momentin e mirë të fillimit të sezonit. Barça e ka Messin që t’ia zgjidhë problemet, si përherë. Në këtë lloj ndeshjesh ai është thelbësor”.

Rivaldo e përshkroi klasiken e së dielës të rëndësishme, por jo përcaktuese për titullin: “Nuk do të jetë vendimtare, sepse të dyja ekipet kanë akoma shumë pikë për të humbur e fituar kundër rivalëve të vegjël në pjesën e mbetur të sezonit. Natyrisht, nëse fiton Barcelona, do ta ketë një rrugëtim më të rehatshëm në vazhdim”.

“Asnjë përmirësim me Setién”

Rivaldo është i shqetësuar për situatën e katalanasve në prag të “El Clasico” kundër Real Madridit, të dielën e ardhshme: “Sinqerisht, pas ndeshjeve të fundit të Barcelonës, nuk kam parë ndonjë përmirësim, edhe pse Valverde u largua nga drejtimi dhe erdhi Setién. Skuadra mund të luajë shumë më mirë, sepse ka lojtarë të shkëlqyeshëm. Përveç kësaj, zotërimi i tij i topit nuk është i qëndrueshëm. Sidoqoftë, gjëja vërtet shqetësuese te Barcelona aktuale është mungesa e njerëzve që guxojnë të godasin nga jashtë zonës për të befasuar. Skuadra po mundohet të shënojë gola vetëm në zonën rivale. Barcelona tani është më e varur se kurrë nga Leo Messi. Sigurisht, rëndësia e tij është rritur. Kjo tregon pse rivalët përqendrohen në ndalimin e tij. Kur nuk luan mirë Messi, ose bllokohet nga kundërshtarët, Barcelona nuk imponohet dot. Pak alternativa në sulm? E gjitha kjo vjen nga planifikimi i dobët i klubit, çka u përkeqësua edhe më shumë në janar, me largimin e disa lojtarëve dhe pothuajse pa përforcime. E gjitha kjo nuk është e mirë për imazhin e klubit, as e këndshme për stafin stërvitor dhe tifozët”