Sport Real Madridi përshpejton “revolucionin”, Xabi Alonso dhe Alexander-Arnold menjëherë

Real Madridi përshpejton “revolucionin”, Xabi Alonso dhe Alexander-Arnold menjëherë

Te Real Madridi po fryjnë erëra ndryshimi. Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, drejtuesit po mendojnë të përshpejtojnë “revolucionin” që ishte në plane prej kohësh, kur për herë të parë u përfol për largimin e Carlo Ancelottit.

Trajneri italian do të dëshironte të vazhdonte në stol, por nëse nuk fiton La Liga-n dhe Kupën e Mbretit, ndoshta as kjo s’do të mjaftonte, e ardhmja e tij duket e vulosur. Pyetja që mbetet është: kur do të largohet?

Të enjten qarkulluan zëra mediatikë nga Spanja se ndarja mund të ndodhë menjëherë pas finales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës, që do të luhet në fund të prillit. Kjo sepse Xabi Alonso, kandidati kryesor për ta pasuar Ancelottin, ka një klauzolë në kontratën e tij që i lejon largimin gjatë sezonit, në rast oferte nga Real Madridi ose Liverpool-i, dy klubet ku ka luajtur si futbollist.

Sipas “Marca”, mundësia më reale është që ndryshimi të ndodhë pas Kupës së Botës për Klube, një turne që presidenti Florentino Perez e konsideron strategjik për imazhin e klubit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse Xabi Alonso do të pranojë ta marrë drejtimin në fund të këtij sezoni, me një skuadër të lodhur dhe për t’u rindërtuar, apo do të presë deri në verë, pas Botërorit të Klubeve.

Ndërkohë, sa i përket merkatos, Real Madridi është gati të godasë menjëherë me një emër të madh: Trent Alexander-Arnold. “Los Blancos” synojnë ta afrojnë atë për Kupën e Botës për Klube, duke shfrytëzuar dritaren e veçantë të merkatos për klubet që marrin pjesë në këtë turne.

Për mbrojtjen pëlqehen gjithashtu Huijsen dhe Zubimendi. Në mesfushë, Modric është pranë lamtumirës, Lucas Vazquez është në dyshim, ndërsa për Alaba, një nga lojtarët më të paguar, do të shqyrtohen ofertat.