Sport Reali akuzon: Arbitri dhe VAR nuk panë dy penallti

Reali akuzon: Arbitri dhe VAR nuk panë dy penallti

“El Clasico” nuk ka prodhuar gola, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për polemikat që ka ngjallur te Real Madrid, i cili akuzon për dy penallti të mohuara dhe qershia mbi tortë është se pas atyre episodeve u anulua edhe një gol (milimetrik pozicioni jashtë loje i Mendy)…

Kapiteni i Realit, Sergio Ramos, akuzoi për dy 11-të metërsha që iu vodhën Realit, ndërsa më i ashpër ishte ish-sulmuesi dhe legjenda Butragueno. Sot drejtor i relatave institucionale të “merengues”, u shpreh për “AS“: “Kthehemi të flasim për të njëjtën çështje. E dimë që jemi shumë të varur nga VAR, e dimë që teknologjia duhet të jetë e pranishmë për të ndihmuar arbitrin, sepse ai nuk sheh dot të gjitha. Sipas rregullores, VAR ndërhyn kur gabimi është i qartë dhe i dukshëm. Por, nuk ndërhyri edhe pse ishin dy episode të dukshme”.

“Vështirë të kuptosh se si duhet përdorur në raste të tilla. Si tifoz them që VAR duhet të ndërhynte. Ishte për të gjithë e pabesueshme. Nuk e di se çfarë kanë biseduar mes tyre arbitrat dhe kolegët pas ekranit, por imagjinoj nëse nuk i kanë thënë eja dhe shihe, do të thotë që për ata nuk ishte asgjë! Por, nëse sheh imazhiet, diçka dallohet”.

Sakaq, adresa zyrtare e klubit të Realit i hedh benzinë zjarrit. Faqja e klubit, nën kronikën e ndeshjes, ka titulluar një artikull në mënyrë polemike: “As arbitri dhe as VAR kanë parë penalltitë ndaj Varane”. Pra, prag Krishtlindja në Spanjë, do të jetë e fortë, sidomos me polemikat pas “El Clasico”.