Sport Reali i Madridit drejt shpërbërjes, Modric më pranë Interit

Reali i Madridit drejt shpërbërjes, Modric më pranë Interit

Largimi i Cristiano Ronaldos mesa duket ishte vetëm lëvizja e parë nga një mbretëri që mund të shpërbëhet. Është një fenomen që të paktën deri më tani Reali i Madridit ia ka dalë ta frenojë, por që ende nuk dihet dhe përsa kohë do të mund të rezistojë.

Në fakt hemorragjia e Los Blancos ishte diçka që të gjithë e prisnin të ndodhte dhe tashmë pas një largimi të mundshëm të Marcelos gjatë verës dhe çështjes së Iscos rikthehet sërish në skenë emri i Luka Modric.

Humbja ndaj Real Sociedad nuk është pritur mirë nga kroati, i cili pas ndeshjes u shpreh se problemi i Realit nuk është VAR, por loja që madrinelënët bëjnë. Ndërsa shtoi se disa prej lojtarëve po luajnë sipas dëshirës së tyre dhe se tashmë ka ardhur momenti që të gjithë të reagojnë.

Po të lexosh mes rreshtave në deklaratën e mesfushorit mund të vërehet një humbje durimi. Qëndrimi i Modric në Madrid ishte deri diku i sforcuar dhe ndoshta mungesa e rezultateve pozitive, një gjendje jo fort pozitive mund ta bëjë kroatin që të ndërrojë mendje.

Interi vazhdon të qëndrojë pas dere dhe një kampion bote si Luka Modric është zgjidhja ideale për mesfushën zikaltër. Klubi milanez mund ta shfrytëzojë situatën dhe në verë të tentojë sërish transferimin e kroatit.

Nëse gjatë merkatos verore që lamë pas transferimi i Modric tek Inter dukej një dëshirë e parealizueshme, tashmë situata ofron një tjetër panoramë. Ëndrra kroate mund të behet realitet për Interin.