Sport “Reali i përket të kaluarës”, Morata rikthehet në Madrid

“Reali i përket të kaluarës”, Morata rikthehet në Madrid

Alvaro Morata rikthehet në Spanjë dhe pikërisht në Madrid, por këtë herë për të veshur fanellën e Atleticos së Madridit, ekip me të cilën ka luajtur edhe në periudhën 2005-2007, por me skuadrat e moshave.

Sulmuesi spanjoll ka kryer me sukses vizitat mjekësore dhe tashmë pritet vetëm njoftimi zyrtar për transferimin e tij, ndërsa formula është ajo e huazimit për 10 milionë euro dhe të drejtës së blerjes për 55 milionë euro në muajin qershor.

Pas një sezoni e gjysmë te Chelsea, ku nuk arriti të bindë as Antonio Conten dhe as Maurizio Sarrin, Morata rikthehet në Madrid për të shkëlqyer, gjë që nuk ia ka dalë ta bëjë dy herë radhazi me fanellën e Realit të Madridit, pasi nuk mori hapësirat e duhura.

Pikërisht për këtë të kaluar të tij, tifozët e Atleticos protestuan dhe u shprehën kundër blerjes së Moratës, por vetë sulmuesi mendoi “të fikë zjarrin”, duke thënë se Reali ishte e kaluara e tij dhe se tashmë është gati të bëjë më të mirën për “Los Colchoneros”.