Sport Reali mposht Valencian, CR7 shënon dy herë nga 11-metërshi

Reali mposht Valencian, CR7 shënon dy herë nga 11-metërshi

Reali i Madridit konfirmoi sërish se nuk ka harruar sesi të fitojë, e këtë e bën ndaj një rivali të paimagjinuar në fillim të kampionatit, por që kishte krijuar një distancë prej 5 pikësh me ta, si Valencia.

“Los Blancos”-it i dhanë fund krizës së rezultateve me një fitore të thellë ndaj Deportivos, 7-1 në La Liga, përpara se të merrnin një tjetër goditje me eliminimin nga Kupa e Mbretit në favor të Leganesit.

Por, teksa La Liga u rikthye sërish në fokus, madrilenët arritën një fitore 4-1 në “Mestalla”, në një sfidë të luftuar shumë deri në minutën e 84-t, por që u zhbllokua në pjesën e parë vetëm falë dy 11-metërshave të akorduar në favor të ekipit merengues, penallti që u shënuan nga Cristiano Ronaldo, me portugezin që ngjitet në kuotën e 8 golave, shumë larg rivalit të përjetshëm të tij Messit, që numëron 19 në La Liga.

Në pjesën e dytë, Valencia shkurtoi diferencën me anë të Minas, por në momentin që u duk se po tentonte t’i rrëmbente ndonjë pikë Realit, këtu doli në pah klasi i lartë i yjeve madrilenë përballë emrave me më pak peshë të valencianëve.

Marcelo shënoi golin e tretë për Realin pas një aksioni spektakolar me shumë pasime, ndërsa Toni Kroos vulosi shifrat përfundimtare në 4-1 me një goditje nga jashtë zonës.

Reali i Madridit ngjitet kështu në kuotën e 38 pikëve, sërish në vendin e katërt, por me një ndeshje më shumë për të luajtur sesa Valencia e vendit të tretë, që ka vetëm dy pikë më shumë. Ndaj kryesuesve të Barcelonës mbetet sërish një diferencë e madhe, me plot 16 pikë.