Sport Reali planifikon ndëshkim shembullor për Gareth Bale

Reali planifikon ndëshkim shembullor për Gareth Bale

Reali i Madridit dëshiron “të lirohet” me çdo kusht nga Gareth Bale gjatë merkatos së verës dhe për ta çuar deri në fund këtë ide, ka gati skenarin që do ta detyrojë uellsianin që të gjejë një zgjidhje.

Drejtuesit “Los Blancos” po i bëjnë presion futbollistit duke e paralajmëruar se, nëse nuk gjen një destinacion të ri, atëherë sezonin e ardhshëm nuk do të luajë më me ekipin e parë të “Los Blancos”, por do të stërvitet me U-23.

Bale nuk është më i dëshiruar në kryeqytetin spanjoll dhe largimi është zgjidhja e vetme për karrierën e tij. Emri i 29-vjeçarit është lakuar për një transferimin të mundshëm te Manchester United për një shumë të konsiderueshme parash, por nëse kjo marrëveshje nuk arrihet (ose me ndonjë klub tjetër), sipas “The Sun”, sulmuesi nuk do të vijojë të jetë nën urdhrat e Zinedine Zidane.

Drejtuesit e Realit nuk e kanë kapërdirë dot deklaratën e menaxherit të uellsianit, Jonathan Barnett, i cili këmbënguli që klienti i tij ishte i interesuar ta respektonte deri në fund kontratën me klubin, që i përfundon në vitin 2022.

Bale nuk u grumbullua nga Zidane për takimin që Reali e fitoi 3-2 ndaj Villarrealit, madje javën e kaluar ka patur një takim kokë më kokë mes trajnerit francez dhe futbollistit në zyrat e klubit.

Biseda, sipas medieve angleze, ka qenë e shkurtër dhe e ftohtë, çka tregon se marrëdhëniet mes tyre nuk janë përmirësuar që nga koha e fundit që trajneri francez ishte në klub.

Pavarësisht këmbënguljes së Bale për të qëndruar, Reali nuk ka ndërmend t’i japë një tjetër shans, teksa po punon për të sjellë në “Bernabeu” emra të tillë si Eden Hazard, Paul Pogba apo Luka Jovic.

Drejtuesit e klubit “merengues” janë gjithashtu të etur për t’u çliruar pagat e tij e majmë prej 500 000 paundësh në javë.