Aktualitet Reçi, Parku Natyror që prodhon mbi 300 ton gështenja në vit

Reçi, Parku Natyror që prodhon mbi 300 ton gështenja në vit

Reçi është një fshat në veri-lindje të Shkodrës, në Bashkinë e Malësisë së Madhe.

Këto ditë në Reç, u çel “Dita e Agroturizmit në Parkun Natyror Rajonal Shkrel”, ku u promovuan produkte ushqimore, bujqësore, blegtorale dhe artizanale të zonës.

Panairi u organizua nga GIZ, USAID, SWEEDEN me mbështetje të Bashkisë Malësi e Madhe, ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Morën pjesë banorët e zonës me produktet e tyre bujqësore e blegtoral, punime artizanale dhe në veçanti me produktin e gështenjës.

Ajo zinte vendin kryesor, një produkt që furnizon tregun vendas dhe të huaj.

Janë mbi 300 ton gështenja të prodhuara çdo vit, që futen në aksesin e rritjes ekonomike të zonës.

Sipas Kryetarit të Bashkisë Malësi e Madhe Tonin Morini, blloku i gështenjave të Reçit është një nga pasuritë kryesore të këtij fshati.

Çdo vit në tregun vendas dhe të huaj hidhen mbi 300 ton gështenja nga kjo zonë. Jo më kot banorët e quajnë dhe “buka e Reçit”.

Është një cilësi e mirë, e ëmbël dhe e shijshme. Amvisat e përdorin atë në disa lloj gatimesh si në ëmbëlsira por edhe në supra e gjellë të ndryshme.

Ky frut është identifikues për Reçin.

Pema e gështenjës është mbjellë këtu 250 vjet më parë. Specialistët e zonës thonë se një pemë gështenje këtu jep prodhim 30-40 kg.

Gështenja e Reçit nuk është natyrale por e kultivuar. Duke qenë zonë kodrinore, gështenja e vreshti janë më të pranishme.

Në panair u prezantuan dhe rraca autoktone e deles dhe e dhisë së zonës që bëjnë pjesë në ekonominë e familjes reçiane. Jo vetëm prodhimet bujqësore dhe blegtorale e bëjnë këtë zonë që të ketë një hop në zhvillimin ekonomik të saj por është dhe natyra e bukur turistike e Reçit.

Ministria e Turizmit dhe shoqata të ndryshme turistike, kanë punuar që kjo zonë të kthehet në një atraksion për turizmin e natyrës, aventurë, traditës dhe kulinarisë.

Në masivet pyjore të Shalës, Thethit dhe të Reçit janë hapur shtigje për lëvizjen turistike të këmbësorëve, motorristave dhe së fundi edhe për turizmin e biçikletave.

Një punë të veçantë në prezantimin turistik të zonës, po bënë dhe GIZ, një bashkëpunim gjerman që po nxit banorët në prioritetin e turizmit familjar dhe në atë të traditës, të kulturës epike, të etnosit dhe të gojëdhënave.

Sot kjo zonë është e hapur për një turizëm gjithë vjetor dhe me akseset e nevojshme për ta ushtruar atë. /ATA