Ekonomi Reduktohen operatorët e telefonisë, Albtelecom shkrihet tek One (mbeten vetëm dy në...

Reduktohen operatorët e telefonisë, Albtelecom shkrihet tek One (mbeten vetëm dy në treg)

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, ka miratuar bashkimin e operatorëve One Telecommunications dhe Albtelecom, që hyn në fuqi më 1 janar 2023.

Këshilli Drejtues i AKEP, pranoi kërkesën e paraqitur nga dy operatorët për miratimin e transferimit të të drejtave të përdorimit të frekuencave të dhëna si dhe për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve të caktuara në aktet rregullatore të nxjerra nga AKEP nga sipërmarrësi Albtelecom te sipërmarrësi One.

Bashkim i dy kompanive të telekomunikacionit lidhet me blerjen e të dyjave nga e njëjta kompani e huaj, grupi hungarez 4iG. Pas mbylljes së proceseve Albtelecom do të shkrihet si pjesë e One dhe do të operojë nën emrin e saj. Albtelecom drejtonte tregun e telefonisë fikse në vend, por në dyvjeçarin e fundit ajo pati rënie të abonentëve.

Tregu i telekomunikacionit në vend do të mbetet vetëm me dy operatorë, One dhe Vodafone.

Vendimi duhet të kalojë tani nga Autoriteti i Konkurrencës për të studiuar nëse një lëvizje e tillë shtrembëron konkurrencën në këtë sektor dhe më pas në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që bën shkrirjen finale të kompanive.

Në fillim të këtij muaji, AKEP tregon se tre operatorët dorëzuan në fillim të këtij muaji në AKEP një marrëveshje, në bazë të së cilës Albtelecom do të transferojë te Vodafone Albania tre blloqe të spektrit të frekuencave, ndërsa One dy të tilla. Në përfundim, marrëveshja parashikon një përpjesëtim të ri të spektrit nga 59%, One, me 41%, që është aktualisht, në rreth 51% me 49%.

Sipas AKEP dhe Konkurrencës një shpërndarje e tillë, shmang hyrjen e një operatori të ri në treg, pasi një sërë brezash të përshtatshëm për zhvillimin e teknologjive 4G dhe 5G mbeten të lirë për t’u dhënë në përdorim.