Sport Referenca kryesore e sulmit: Si do të luajë Juventusi me Vlahovic

Referenca kryesore e sulmit: Si do të luajë Juventusi me Vlahovic

Sulmuesi serb nuk ka nevojë për prezantim. Dusan Vlahovic është tashmë një bomber i kompletuar, gati për një top-klub, aq sa në javët e fundit ka pasur disa gjigantë europianë të lidhur me emrin e tij.

Megjithatë, siç dihet, ka qenë Juventusi, ai që ka arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit të Fiorentinës në Torino, duke ndezur edhe debatin se si do të ndryshojë skuadra bardhezi me të në fushë. Si do të luajë Juventusi i Allegrit me Vlahovicin? Cilat janë alternativat? Ja zgjidhjet dhe parashikimet ofensive me ardhjen e tij te Juventusi.

Titullar i sigurt

Ardhja e Dusan Vlahovic te Juventus është e destinuar të përmbysë hierarkitë në sulm. Massimiliano Allegri ndoshta do të ndjekë filozofinë e tij për përfshirjen e njërit apo tjetrit lojtar, por në planin afatgjatë sulmuesi serb duhet të bëhet titullar i skuadrës bardhezi.

Pothuajse me siguri, megjithatë, rotacioni që do të kryhet gjatë javëve do të jetë me Alvaro Morata, por qartësisht ka edhe një arsyetim që lidhet me vetë marrëveshjen. Investimi i Juventusit për Vlahovic vështirë se do të justifikonte një rol tjetër, përveç atij të titullarit.

SI DO TË LUAJË JUVENTUSI ME VLAHOVIC

Siç është pikasur disa herë këtë sezon, Allegri e ndryshon shpesh sistemin e tij të lojës, duke filluar nga 4-3-3 në 4-4-2 deri te 4-2-3-1. E sigurt, megjithatë, është se Dusan Vlahovic do të jetë referenca kryesore e sulmit.

Në 4-3-3 pritet të luajë si sulmues qendror, me Dybala dhe Bernardeschi në anë. E njëjta histori për 4-2-3-1, me Cuadrado, Dybala dhe Bernardeschi në mbështetje të serbit. Në modulin 4-4-2 ai mund të luajë me sulmuesin e dytë, Dybala, ose në çdo rast me një sulmues të dytë të lëvizshëm.

Do të jetë e rëndësishme të kuptojmë nëse ai do të arrijë të zbatojë atë që tregoi në Firence për gjenerimin e hapësirave, gjë që mund të jetë shumë e rëndësishme për mesfushorët, McKennie mbi të gjitha. Sido që të jetë, loja tashmë vertikale e Allegrit mund të përfitojë nga një lojtar si Vlahovic, i cili është fizikisht më i pashëm se Morata, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së topit gjatë vrapimit.