Politika Reforma në Drejtësi, BE shton fondet: 34 milionë euro në 3 vitet...

Reforma në Drejtësi, BE shton fondet: 34 milionë euro në 3 vitet e ardhshme!

Reforma shqiptare në Drejtësi po jep rezultat dhe është e pakthyeshme. Kështu është shprehur të hënën, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca gjatë një takimi mbi “Rolin strategjik të KLGJ-së dhe KLP-së në zbatimin e Reformës në Drejtësi”.

Soreca tha se tashmë kemi kaluar nga nevoja për ta mbrojtur Reformën në diskutime për zbatimin real të saj. Ai theksoi se, BE-ja do ta shtojë mbështetjen e saj për Reformën në Drejtësi me një program të rëndësishëm prej 34 milionë eurosh, gjatë 3 viteve të ardhshëm.

“Hapat vendimtarë të muajve të fundit, duke përfshirë themelimin e dy Këshillave, kanë treguar se reforma po jep rezultate dhe është e pakthyeshme. Jam i gëzuar që kemi ecur përpara, nga nevoja për ta mbrojtur Reformën, në diskutime mbi zbatimin e saj aktual dhe në veçanti, mbi faktin se si mund ta mbështesë atë BE-ja”, tha Soreca.

“Nevoja për të konsoliduar progresin në këtë fushë u theksua gjithashtu edhe nga shtetet anëtare në konkluzionet e Këshillit të qershorit të kaluar. Prandaj kjo rëndësi politike reflektohet në peshën që i është dhënë drejtësisë dhe shtetit të së drejtës në mbështetjen tonë financiare: Gati 100 milionë euro gjatë pesë viteve të fundit”, vijoi ai.

Sipas ambasadorit të BE-së në Tiranë, kjo mbështetje e BE nuk do ndalet këtu.

“Nëse do të arrihen rezultate në zbatimin e Strategjisë së Drejtësisë – për shembull në sigurimin e mjediseve të reja, si dhe në përmirësimin e aktiviteteve të saj të trajnimit për Shkollën e Magjistraturës – fondet e BE-së do të vihen në dispozicion të buxhetit si një kontribut për këto përpjekje. Kjo vlen për të gjitha institucionet e tjera që kontribuojnë për zbatimin e reformës. Kjo mbështetje e re do të ofrojë ngritjen e kapaciteteve dhe asistencën teknike që ne po e përgatisim me Ministrinë e Drejtësisë si koordinatore. Tani është momenti për të përcaktuar nevojat tuaja dhe për të parashtruar propozime për mbështetje”, theksoi Soreca.