Aktualitet Reforma në sektorin e ujit, Balluku takon kryebashkiakët e Durrësit

Reforma në sektorin e ujit, Balluku takon kryebashkiakët e Durrësit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka vijuar në qarkun e Durrësit turin e takimeve me kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve, për reformën në sektorin e ujit. Pjesëmarrës në takim ishin edhe përfaqësuesit e bashkive Kavajë dhe Rrogozhinë.

Pasi bëri një prezantim të gjithë performancës së ndërmarrjeve të UK në këtë qark, Balluku tha se reforma në këtë sektor është një domosdoshmëri për të ndryshuar rrënjësisht situatën. Përveç problemeve teknike kemi edhe problemet e menaxhimit, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat, shtoi, po kërkojmë ti zgjidhim përmes një reforme.

“Duhet formalizuar sistemi. Ndërmarrjet e Ujësjellës Kanalizimeve duhet të fillojnë të ecin në një model që ne e kemi bërë, që është ajo e reformës elektro-energjetike, sigurisht duke pasur parasysh që uji është një e drejt bazike e çdo qytetari, sigurisht duke pasur parasysh që askush nuk ka ndërmend të marrë masa dhe të lërë pa ujë të pijshëm asnjë qytetar. Nuk është synimi jonë, të presim linjat, të krijojmë konfuzion, por synimi jonë është që investimet që shteti shqiptar ka bërë deri më sot, të japin rezultate të ndjeshme dhe të jenë të prekshme nga vetë qytetarët”, deklaroi Balluku.

E gjithë reforma do të udhëhiqet nga AKUM, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim edhe me pushtetin vendor për të akomoduar të gjitha shqetësimet që lidhen me këtë sektor, teksa bëri të ditur edhe detaje nga organizimi i ri që pritet të kenë këto ndërmarrje.

“Ne do na duhet që të nisë një agregim i rëndësishëm i ndërmarrjeve të ujësjellësave, qoftë brenda qarqeve, ose qoftë siç është dhe rasti i bashkive Kavajë dhe Rrogozhinë, brenda një zone gjeografike të arsyeshme, për t’u bërë bashkë, për të bërë forcat bashkë dhe për t’ja dalë edhe financiarisht, edhe nga ana teknike. Ky është synimi i çka ne duam të bëjmë në të ardhmen. Sigurisht kjo do bëhet në një mirëkuptim dhe bashkëpunim. Ne jemi informuar maksimalisht me gjithçka që ju ballafaqoheni gjatë operimeve ditore që keni, por çfarë është më e rëndësishme për ne është arritja e qëllimit të furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm në kushte perfekte sanitare dhe për më tepër ky ujë duhet të fillojë të paguhet. Çdo shërbim duhet paguar. Synimi është që ndërmarrjet të kenë mundësi të mirëmbajnë atë çka shteti investon sot”, deklaroi Balluku.

I pranishëm në këtë takim, drejtori i AKUM, Klevis Jahja tha se investimet e Qeverisë në këtë sektor nuk kanë munguar, por kërkohet një fokus më i madh qoftë nga pushteti vendor dhe qoftë nga vetë ndërmarrjet e UK.

“Pavarësisht alokimit të madh të fondeve që është bërë gjatë këtyre viteve nga Qeveria Shqiptare konstatohet që këto investime kanë probleme me vazhdimësinë e tyre domethënë duhet një fokus më i madh qoftë i bashkive, qoftë edhe i ndërmarrjeve të ujësjellësit që të ndiqet me rigorozitet përfundimi i të gjitha këtyre investimeve që janë hapur. Kjo duhet të bashkërendohet edhe me mirë administrimin e drejtorive të UK-ve për të rritur performancën e të gjithë treguesve të cilët ne masim”, deklaroi Jahja.

Takime të ngjashme do të vijojnë në të gjitha qarqet e tjera të vendit.