Kryesore Reforma zgjedhore, KVV: Rama e Basha të kontribuojnë me maturi

Reforma zgjedhore, KVV: Rama e Basha të kontribuojnë me maturi

| Nga American Eye
Shpërndaje

Koalicioni i Vëzhguesve Vendore i ka bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha që të kontribuojnë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Më një njoftim për mediat, KVV  i kërkon Komisionit të Reformës Zgjedhore të fillojë punën, duke bërë transparencën e çështjeve themelore.

“Të dy krerët respektivë të mazhorancës z. Rama dhe opozitës z. Basha të përdorin të gjithë instrumentet e mekanizmat demokratike, duke kontribuar me përgjegjësi e maturi të plotë, për të orientuar drejt frymën e bashkëpunimit e gjithëpërfshirës të gjithë palëve e sa më shumë aktorëve politikë në realizimin e Reformës Zgjedhore në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e KVV.

KVV thotë se i bën thirrje Komisionit dhe konkretisht bashkëkryetarit të ri të këtij komisioni, Damian Gjiknuri që të plotësojë numrin e anëtarëve të rinj në këtë komision, pas ngërçit të krijuar me djegien e mandateve nga opozita.

“Të sqarohet sa më shpejt për opinionin publik, cili dhe si do jetë përfaqësuesi i PD, me statusin e vëzhguesit në këtë komision. Të prezantojë menjëherë grupin e ekspertëve të përfshirë si dhe të qartësojë në vazhdim si do procedohet me draft propozimin-projekt ligjin e dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë  kërkon që palët politike të mos neglizhojnë afatet ligjore ashtu siç ka ndodhur deri më tani, pasi kjo tregon mungesë përgjegjshmërie.