Kryesore Reforma Zgjedhore, Rama ka një ftesë publike për Bashën dhe Kryemadhin

Reforma Zgjedhore, Rama ka një ftesë publike për Bashën dhe Kryemadhin

Kryeministri Edi Rama i ka bërë një ftesë partive që përbëjnë tashmë opozitën jashtë parlamentit, për t’ u rikthyer në Komisionin për Reformën Zgjedhore.

“Përtej skajshmërisë së dallimeve tona”, shkruan kryeministri në Facebook, “ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë”.

Edhe pse opozita sipas tij ka vendosur të “djegë mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetë përjashtohen nga jeta parlamentare e kësaj legjislature”, ata gjithsesi janë votuar “për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë”. Kjo e bën të domosdoshme për Ramën praninë e tyre në Kuvend.

Ftesa e Ramës:

FTESE PUBLIKE DREJTUESVE TE OPOZITES JOPARLAMENTARE Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu

Të nderuar zotërinj, e nderuar zonjë,

Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore.

Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu.

Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.

Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj edhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte.

Ju faleminderit

EDI RAMA

Tiranë, 18 shtator 2019