Sport Refuzoi të drejtonte skuadrën në derbi, Partizani largon Sormanin

Refuzoi të drejtonte skuadrën në derbi, Partizani largon Sormanin

Klubi i Partizanit ka njoftuar ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit me trajnerin italian Adolfo Sormani dhe dy ndihmësit e tij, Giovanni Mazzella dhe Gabriele Faccia, të cilët kanë drejtuar skuadrën që prej muajit janar të këtij viti.

Lajmi është dhënë nga vetë klubi i kuq nëpërmjet një komunikate zyrtare, ndërsa gjithçka ishte e pritshme, pasi tre italianët refuzuan të drejtojnë skuadrën në derbin ndaj Tiranës të premten në mbrëmje.

Infektimi me koronavirus i disa futbollistëve të Partizanit në dy ditët e fundit para derbit, mesa duket trembi italianë, që refuzuan të shkojnë në stadiumin “Air Albania” dhe zgjodhën të qëndrojnë të sigurt në banesën e tyre.

Megjithatë vlen të theksohet se edhe rezultatet e të kuqve nën drejtimin e Sormanit nuk kanë qenë aspak në nivelin e pritshmërive, pasi italiani e mori Partizanin në vendin e dytë të renditjes dhe aktualisht skuadra është thuajse jashtë garës për një ven në zonën europiane.

Sipas njoftimit të klubit të kuq, në tre ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020, Partizani do të drejtohet në pankinë nga zëvendës trajneri Reinaldo Kalari, i cili drejtoi ekipin edhe në derbin ndaj Tiranës.

Kjo është hera e dytë që trajneri italian Adolfo Sormani shkarkohet nga pankina e Partizanit, pasi pati drejtuar të kuqtë edhe në fillim të sezonit 2016-2017, kur rezistoi vetëm pak muaj.