Kryesore Reja merr fitoren e parë, Shqipëria “ringjall” shpresat për kualifikim

Reja merr fitoren e parë, Shqipëria “ringjall” shpresat për kualifikim

Shqipëria rigjen qetësinë, pasi arrin të mposhtë 2-0 Moldavinë modeste, ndërsa trajneri Edi Reja i gëzohet suksesit të parë me Kombëtaren shqiptare. Në një “Elbasan Arena” të zbrazur në shumicën e tribunave, kuqezinjtë morën një tjetër 3-pikësh në eliminatoret e Euro 2020-ës, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm.

Sfida nisi me kuqezinjtë që morën menjëherë kontrollin e lojës, duke tentuar të sulmojnë në mënyrë të vazhdueshme, por pasimi i fundit ishte në shumicën e rasteve i gabuar, duke bërë që kërcënimet reale të mungonin.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha Armando Sadiku, i cili mori një pasim në hyrje të zonës dhe gjuajti nga një pozicion mjaft i vështirë, por goditja e tij u grushtua nga portieri moldav, ndërsa në një moment më vonë, kuqezinjtë pretenduan edhe për një 11-metërsh, por nuk ndante të njëjtin mendim arbitri finlandez.

Edhe pjesa e dytë nisi në të njëjtën mënyrë, me kuqezinjtë që xhironin topin, por vuanin të ndërtonin aksione të rrezikshme, ndërsa në minutën e 58’ trajnerit Reja iu sos durimi dhe bëri ndërhyrjet e para, duke larguar Lenjanin e Sadikun, për t’u bërë vend Cikalleshit e Roshit.

Pikërisht këta të dy ishin protagonistë të golit të parë të kuqezinjve, që erdhi vetëm 6 minuta më vonë, me fierakun që u shërbye në thellësi dhe pasi depërtoi pranë kuadratit të portës moldave, shërbeu për Cikalleshin, i cili shtyu topin në rrjetë me portën e boshatisur.

Goli çliroi kuqezinjtë, që ndërtuan edhe disa aksione të tjera të shpejta, ndërsa moldavët vetëm në 10 minutat e fundit u kujtuan të hedhin sytë nga kuadrati i Berishës, por pa vënë në vështirësi gardianin nga Prishtina.

Në minutën e dytë shtesë, një kundërsulm i shpejtë i tanëve, me protagonistë Uzunin dhe Roshin, u konkretizua me një pasim për Ramadanin mbi vijën e 16 metrave, ndërsa mesfushori kaloi një kundërshtar dhe me një gjuajtje të bukur, çoi topin në rrjetë për herë të dytë.

Vërshëllima finale e arbitrit finlandez la në fuqi rezultatin 2-0, që rikthe buzëqeshjen dhe entuziazmin te kuqezinjtë, të cilët tashmë shkojnë në kuotën e 6 pikëve, në vendin e katërt të renditjes.

Po në grupin e Shqipërisë, Franca fitoi pa probleme 0-4 në transfertën ndaj modestëve të Andorrës, ndërsa Islanda mposhti 2-1 Turqinë, duke bërë interesante zhvillimet e grupit, me të tre këto skuadra që kanë nga 9 pikë në krye.