Përzgjedhja e editorit Reja: Si më bindi kryeministri Edi Rama që të drejtoj Shqipërinë

Reja: Si më bindi kryeministri Edi Rama që të drejtoj Shqipërinë

Edoardo Reja mbush 74 vjeç në tetor. Shumë vite mbi supe, një karrierë e gjatë profesionale si trajner, por në këtë moshë gjendet para një debutimi. Do ta ketë “sefte” si trajner i një kombëtareje, por edhe me Shqipërinë. Ai zëvendësoi bashkatdhetarin Christian Panucci, duke marrë në dorë “frenat” e kuqezinjve, rrugëtimin me të cilët e nis në ndeshjet kualifikuese ndaj Islandës dhe Moldavisë. Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ai tregon edhe se kush e bindi për të pranuar ofertën nga vendi i shqiponjave. Një njeri jo dosido, por vetë kryeministri Edi Rama. Pra, Edi bindi Edy.

Si ju bindi Shqipëria?

Presidenti Armand Duka më telefonoi dhe më pyeti për planet që kisha, duke më kërkuar nëse isha i lire për një ofertë nga kombëtarja e Shqipërisë. Biseduam për këtë, pashë edhe ndeshjen ndaj Turqisë. Në fakt, unë shkova rastësisht në atë ndeshje, më duhej të shkruaja disa raporte në lidhje me futbollistët që po ndiqeshin nga Napoli dhe Atalanta.

Më telefonoi, gjithashtu, edhe kryeministri Edi Rama. E takova atë në hotelin tim të preferuar, pranë “Ponte Milvio”. Ai kishte ardhur për të parë Lazio, është tifoz i madh i Juventusit. Më kishte thirrur, që të më bindte.

Çfarë të kërkuan konkretisht?

Të bëja më të mirën, të provonim kualifikimin për në “Euro 2020”. Bëra llogaritë e mia dhe, përjashto Francën, mendoj se mund të jemi konkurues më të gjithë rivalët në grup, përfshirë këtu edhe Turqinë. Do të provojmë gjithçka. Kemi respekt për të gjithë, por frikë ndaj askujt. Kam folur me lojtarët dhe ata janë të vetëdijshëm. Më duket se në kombëtare ka hormoni. Kur lojtarët shqiptarë zbresin në fushë, janë krenarë. E ndiejnë shumë fanellën që përfaqësojnë. Disa herë janë aq shumë të karikuar, sa duket sikur do të dalin nga binarët, edhe në stërvitje.

Çfarë iu keni premtuar tifozëve dhe shqiptarëve?

Impenjim total, shpirt sakrifice dhe shumë vuajtje. Besoj shumë te grupi i lojtarëve. Ka cilësi. Nëse japim 100%, besoj se do të marrim kënaqësi. Kampionati Europian i vitit të ardhshëm është një ëndërr, por nëse dëshirojmë që ëndrrat të bëhen realitet, duhet të besojmë. Vetëm një gjë i pengon ato të realizohen, frika. Pra, nuk duhet të kemi dyshime për potencialin tonë.

A po të ndihmon Igli Tare?

Po, sigurisht. Ma ka ndihmuar shumë, kemi folur për lojtarët, kemi lëvizur nëpër Europë për t’i parë. Igli ka më shumë njohuri, i mora parasysh sugjerimet dhe vlerësimet e tij. Më duhet ta falënderoj, më ka dhënë një dorë që të vija te Shqipëria. Ka thënë fjalë të mira për mua në federatë dhe tek Edi Rama.