Bota Rekord, 45.9 gradë Celsius në Francë. Shatërvanet kthehen në pishina publike

Rekord, 45.9 gradë Celsius në Francë. Shatërvanet kthehen në pishina publike

45.9 gradë Celcius arriti termometri të premten në Francë, nivel rekord që kaloi edhe atë të vitit 2003, të nxehtin e tmerrshëm që shkaktoi mbi 20 mijë viktima. Autoritetet franceze janë në emergjencë totale veçanërisht në jug, ku zjarret si pasojë e të nxehtit, kanë rrafshuar pyje e banesa, ndërsa një autostradë e rrethuar nga flakët është mbyllur, duke çuar trafikun në kolaps. Ekipet e emergjencave kanë zbritur në terren, duke u ofruar ujë të pastrehëve.

Shatërvani në sheshin Trocadero në këmbët e kullës Eiffel në Paris, është kthyer në një pishinë publike, për t’i bërë ballë të nxehtit ekstrem. Me valë ekstreme të nxehti po përballet edhe Spanja, ku termometri arriti në 47 gradë, dhe sipas meteorologëve pritet të rritet sërish. Edhe në kryeqytetin spanjoll Madrid, qytetarët shfrytëzojnë shatërvanët për t’u freskuar apo u drejtohen pishinave e plazheve.

Në Vienë, i nxehti ka shkaktuar radhë në shpërndarësit publikë të ujit. Situatë emergjente paraqitet edhe në Gjermani e Poloni, të pamësuara me këto temperatura. Sipas autoriteteve, në vendet europiane i nxehti dyshohet se ka shkaktuar viktimat e para, por ende nuk ka një shifër të saktë.