Sport Rekord i zi për De Gea, kjo nuk ndodhte prej 40 vitesh...

Rekord i zi për De Gea, kjo nuk ndodhte prej 40 vitesh te Manchester United

Një sezon për t’u harruar për njërin nga portierët më të mirë në botë dhe më të kërkuarin në merkato. Në fakt, David de Gea nuk i ka shpëtuar paraqitjes zhgënjyese të skuadrës ku luan, Manchester United, duke bërë edhe ndonjë gafë herë pas here, sikurse ishte ajo në “Camp Nou”, ndaj Barcelonës, në çerekfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve.

“Gardiani” spanjoll pësoi dy gola mbrëmë në derbin ndaj Manchester City, duke vendosur një rekord negativ, që nuk njihej te “Djajtë e Kuq” prej 40 vitesh. Ai pësoi golin e 50-të në këtë sezon, në Premier League, teksa ka qenë në të gjitha ndeshjet titullar dhe i pazëvendësueshëm. Kjo ndodh për herë të parë te Manchester United, në elitën e futbollit anglez, në katër dekadat e fundit.

“Rekord i zi”, që dëshmon momentin aspak pozitiv të De Gea dhe të gjithë skuadrës nga “Old Trafford”, e cila rrezikon seriozisht të mbetet jashtë zonës “Champions”, edhe pse me dy trajnerë në drejtim: Jose Mourinho e Solskjaer. Portieri i kombëtares së Spanjës nuk ka pranuar të rinovojë me klubin aktual, ndërsa flitet se pas këtij refuzimi qëndrojnë milionat e sheikëve të PSG-së, që e duan atë në “Parce des Princes”.