Bota Rekord rastesh të reja në Francë: Qeveria paralajmëron rikthimin e karantinës kombëtare

Rekord rastesh të reja në Francë: Qeveria paralajmëron rikthimin e karantinës kombëtare

Qeveria franceze po shqyrton mundësinë e rikthimit të karantinës kombëtare, pasi shifrat e infektimeve ditore prekën një rekord të ri. Këtë 24 orësh u shënuan mbi 16 mijë raste të reja infektimesh, një shifër që nuk është arritur as në fazën e parë të pandemisë në periudhën Mars-Maj.

Deri më tani vetëm Marseja ndodhet në karantinë, teksa po shqyrtohet mundësia e vendosjes së të njëjtës masë edhe në Paris. Nga kjo e premte, në Paris janë ashpërsuar masat kundër përhapjes teksa është bërë e detyrueshme që baret dhe restorantet të mos qëndrojnë hapur pas orës 10 të darkës.

Ekspertët thonë se 12 janë shtetet europiane, të cilave do t’u duhet të rivendosin karantinën kombëtare për shkak të shtimit të rasteve të infektimeve. Autoritetet spanjolle po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të hartës së qyteteve të vendosura në karantinë veç Madridit pas mbi 13 mijë rasteve të reja ditore. Qeveria greke tha se vendosja e karantinës së Athinë është ende larg edhe pse masat kundër përhapjes do të ashpërsohen edhe më tej.

Por ministri gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, Gerd Myler tha se karantina mund të shkaktojë më shumë vdekje se vetë pandemia, pasi shumë vende të botës veçanërisht ato në zhvillim mund të përballen me katastrofa ekonomike.