Sport Rekordi i Ajaksit për ndeshjen ndaj Juventusit, për 40 minuta u shitën...

Rekordi i Ajaksit për ndeshjen ndaj Juventusit, për 40 minuta u shitën të gjitha bileta

U deshën vetëm pak minuta për të treguar “urinë” e madhe që tifozët e Ajaksit kanë për ndeshjen me Juventusin. Për çerekfinalen e vajtjes së Ligës së Kampioneve, në program, më datë 10 prill, 54 mijë biletat e disponueshme të “Johan Krojf Arenas” janë shitur në vetëm 40 minuta.

Klubi nga Amsterdami hapi shitjen mëngjesin e së enjtes, në orën 10:00, por 40 minuta më pas të gjitha biletat kanë “avulluar”.

E gjithë kjo tregon besimin që jo vetëm skuadra e Teg Hag, por edhe tifozët kanë te grupi i sivjetshëm i holandezëve, të cilët pasi tronditën dhe eliminuan Realin e Madridit nga 1/8-at, duan që të bëjnë mrekullinë e radhës edhe ndaj Juventusit.

Por deri në pritje të duelit me “Zonjën e Vjetër” të Europës, Ajaksi do të kërkojë që të fitojë supersfidën ndaj PSV-së, të dielën pasdite, për t’u afruar me vetëm dy pikë nga kryesuesit.