Aktualitet ReLOaD ju fton në programin e ndryshimit

ReLOaD ju fton në programin e ndryshimit

Entela Resuli

Ka disa forma për të bërë punë të mira në komunitet. Një prej tyre është duke u zbatuar tashmë prej dy vitesh më anë të programit ReLOaD, një iniciativë rajonale, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara/UNDP në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

12 bashki në vendin tonë janë bërë pjesë e këtij programi dhe tashmë ato janë duke prekur ndryshime të vogla, por me vlerë shumë të madhe në zonën ku zbatohet.

Në bashkitë që kanë marrë pjesë janë zbatuar një sërë projektesh të fituara nga organizatat, të cilat kanë paraqitur idetë e tyre dhe janë shpallur fituese.

Diku i është dhënë vëmendje të rinjve dhe integrimit të grave dhe vajzave në komunitetet, zhvillimit të turizmit, përfshirjes sociale dhe grupeve në nevojë, barazisë gjinore, mbrojtja e mjedisit…

Këto janë disa nga fushat ku mund të aplikohet edhe këtë vit.

Shuma minimale për të cilat organizatat mund të aplikojnë varion nga 650.000 lekë në 4.000.000 lekë.

Menaxherja e projektit  ReLOaD na tregon se sapo ka filluar procesi i hapjes së Thirrjes së dytë publike për organizatat e shoqërisë civile, ku në disa bashki po diskutohen prioritetet, ndërkohë që ka bashki si Shkodra dhe Lezha, të cilat ndërkohë e kanë shpallur Thirrjen e dytë.

Për të kuptuar më shumë rreth këtij programi dhe mënyrës së si mund të përfitohet prej tij, ne kemi folur me Eglantina Gollaj e cila nëpërmjet kësaj interviste ka shpjeguar me detaje se si mund të aplikohet dhe përfitohet nga ky program.

 

-Zonja Eglantina, çfarë është programi ReLOaD dhe kur ka filluar të zbatohet në vendin tonë?

Programi Rajonal për demokraci vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) është një iniciativë rajonale, e financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara/UNDP në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Qëllimi i tij është krijimi i një partnershipi ndërmjet bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.

Cilat bashki janë bërë pjesë e këtij programi?

Në Shqipëri, janë pjesë 12 bashki: Durrësi, Dibra, Lezha, Shkodra, Tropoja, Librazhdi, Elbasani, Korça, Roskoveci, Tirana, Përmeti dhe Përrenjasi. Këto bashki janë përzgjedhur pas një procesi të hapur, ku janë ftuar të gjitha bashkitë për të aplikuar. Nga 35 bashki që shfaqën interes janë përzgjedhur 12 të mësipërmet.

-Si aplikojnë organizatat për të përfituar nga ky program?

Në këtë projekt, organizatat aplikojnë vetë pasi bashkitë shpallin thirrjet për adresimin e prioriteteve të vendosura bashkërisht me organizatat. Thirrjet janë të hapura për organizatat nga e gjithë Shqipëria, por projekti duhet të realizohet në një nga 12 bashkitë partnere. Në fund, përfitues do të jenë qytetarët e këtyre bashkive.

-Po individët mund të aplikojnë?

ReLOaD mbështet ekskluzivisht organizatat e shoqërisë civile, ndaj individët nuk mund të aplikojnë.

-Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë organizatat që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga ky projekt?

Së pari duhet të jenë organizata të regjistruara dhe që veprojnë në Shqipëri si dhe duhet të kenë në fokus të punës së tyre fushat prioritare të shpallura nga programi. Fryma e ReLOaD është transparenca dhe gjithpërfshirja, ndaj ne inkurajojmë të gjithë organizatat, sidomos ato që punojnë në 12 bashkitë partnere të përfshihen.

-Cila është shumë e grantit që ata marrin? Shumë varet nga projekti?

Granti është një komponent i rëndësishëm i ReLOaD. Si rrallë herë granti nuk është vetëm prej kontributit të programit ReLOaD, por bashkitë kontribuojnë minimalisht me 20 për qind të vlerës së grantit. Ka bashki se Tropoja dhe Lezha psh, të cilat kontribuojnë me 25 për qind të vlerës së grantit. Kjo bën që granti të variojë nga 120.000 $ në bashkitë më të mëdha në 90.000 $ në bashkitë më të vogla. Kontributi i bashkive në këtë grant është për t’u cilësuar si arritje pozitive, pasi si rrallë herë bashkitë janë angazhuar konkretisht/financiarisht dhe jo vetëm në letra.

Ky grant shpërndahet në dy thirrje që do të zbatohen gjatë kohëzgjatjes së projektit (Janar 2017 – Janar 2020) dhe shuma minimale për të cilat organizatat mund të aplikojnë varion nga 650.000 lekë në 4.000.000 lekë.

-Cilat janë ato projekte që kanë prioritet, ka një fushë apo temë të caktuar ku duhet të shtrihen idetë?

Fushat/prioritetet përcaktohen nga takimet konsultuese ndërmjet bashkive dhe përfaqësueseve të organizatave të shoqërisë civile. Prioritetet janë në përputhje me dokumentet strategjikë të bashkisë partnere si dhe reflektojnë nevojat e komunitetit. Ndër prioritetet më të rëndësishme janë: të drejtat e njeriut, përfshirja sociale e grupeve në nevojë, zhvillimi i qëndrueshëm i mjedisit, forcimi i demokracisë vendore, fuqizimi ekonomik i të rinjve dhe turizmi. Përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në përcaktimin e prioriteteve për çdo bashki e ka pasuruar këtë proces.

-Deri më tani si është zhvilluar ky program dhe a ka ndryshuar diçka në Bashkitë ku janë aplikuar projektet?

Programi ka mbyllur deri tani Thirrjen e parë publike për organizatat e shoqërisë civile, ku janë përzgjedhur 30 projekte që po zbatohen që prej 1 Shtatorit 2018 në 12 bashkitë partnere. Kohëzgjatja e tyre varion nga 6 deri në 12 muaj. Ndërkohë që sapo kemi filluar procesin e hapjes së Thirrjes së dytë publike për organizatat e shoqërisë civile, ku në disa bashki po diskutojmë prioritetet, ndërkohë që ka bashki si Shkodra dhe Lezha të cilat ndërkohë e kanë shpallur Thirrjen e dytë. Po ashtu thirrjen e kanë shpallur edhe Librazhdi, Korça, Elbasani e Roskoveci.

Informacion i detajuar jepet në faqet web të secilës bashki dhe në rrjetet e tyre sociale.

Bashkitë kanë qenë të angazhuara për realizimin me sukses të këtij programi, pasi përfshirja e tyre si bashkë-financuese rrit pronësinë e tyre mbi projektet që po zbatohen në territorin e tyre.

-Në dijeninë tuaj, për çfarë ka nevojë komunitetit në bashkitë që marrin pjesë në këtë program?

Tashmë që janë në zbatim 30 projekte në 12 bashkitë partnere, nga takimet me përfituesit kuptojmë që kemi adresuar një pjesë të mirë të nevojave të tyre. Nevojat e komunitetit janë të ndryshme nga bashkia në bashki, por ndër ato që kemi hasur më shpesh janë: integrimi i të rinjve në tregun e punës, zhvillimi i turizmit, përfshirja sociale e grupeve në nevojë, barazia gjinore, mbrojtja e mjedisit etj..

Kështu, bazuar në nevojat e tyre, nëpërmjet projekteve të veçanta, që organizatat po zbatojnë, ReLOaD po mbështet përfshirjen sociale të fëmijëve me aftësi ndryshe si dhe krijimin e grupeve rinore për advokim dhe llogaridhënie në bashkinë Durrës.

Në Korçë projektet janë të fokusuara tek rritja e transparencës dhe llogaridhënies nëpërmjet krijimit të modeleve të këshillave qytetarë si dhe menaxhimin e mbetjeve kryesisht në zonat turistike. Mbështesim në Tiranë, shërbimet për moshën e tretë, fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe gratë e dhunuara nëpërmjet integrimit në tregun e punës.

Në Lezhë, projektet fokusohen tek krijimi i rrjetit rinor si dhe mbështetja e të rinjve dhe grave nëpërmjet aktiviteteve në fushën e sportit apo integrimin ekonomik të tyre. Tre projektet që po mbështesim në bashkinë Shkodër, kanë prioritet integrimin e grave të dhunuara në tregun e punës, krijimin e brandit turistik të Shkodrës si dhe eliminimin e dhunës ndaj grave nëpërmjet artit. Mbështetim në Librazhd, mbrojtjen e lumit Shkumbin.

Ndërsa në Tropojë, projektet fokusohen tek ruajtja e bimëve endemike të zonës, mbështetja e prodhueseve të gështenjës dhe menaxhimi i mbetjeve. Në Përmet, nëpërmjet dy organizatave mbështesim me terapi falas fëmijët me aftësi të kufizuara si dhe trajnojmë fermerët, bizneset dhe të rinjtë me metodat më të reja të menaxhimit të mbetjeve, me fokus zhvillimin e turizmit.

Në Elbasan, katër projektet janë të fokusuara në integrimin ekonomik të të rinjve nëpërmjet krijimit të inkubatorëve të biznesit, mbështetjen e të rinjve me aftësi ndryshe me qëllim integrimin e tyre në tregun e punës, rritjen e njohurive të prindërve të të rinjve me aftësi ndryshe për shërbimet që ofron bashkia si dhe krijimin e infrastrukturës së përshtatshme për këto persona dhe mbështetje ligjore dhe psikologjike për gratë e dhunuara.

Në Prrenjas, mbështesim të rinjtë nëpërmjet trajnimeve për t’u bërë bletërritës, gratë e dhunuara nëpërmjet ndihmës ligjore dhe psikologjike si dhe forcojmë kapacitetet e nxënësve në shkollat e bashkisë në fushën e advokimit dhe vullnetarizimit.

Ndërkohë që në Dibër, nëpërmjet projekteve që zbatohen nga dy organizata nga Dibra, po mbështesim krijimin e një strehëze për gratë dhe fëmijët e dhunuar si dhe krijimin e modeleve për menaxhimin e pyjeve nga komuniteti. Së fundi në bashkinë Roskovec, 15 gra janë duke u trajnuar për prodhimin e sapunit organik nga mbetjet e ullirit si dhe rreth 300 të rinj po marrin pjesë në kurse të gazetarisë, fotografisë dhe teatrit.

-Zonja Eglantina, shpesh herë, kur futen Bashkitë në rol, organizatat bëhen skeptike, pasi dyshojnë se projektet mund të shkojnë në duart e atyre që kanë lidhje të shkurtra me këtë institucion. Çfarë do ju thoshit ju këtyre organizatave në mënyrë që të jenë të motivuara dhe të aplikojnë?

Fryma e ReLOaD është mbështetja e organizatave lokale, pasi ne besojmë se këto organizata e njohin më mirë problematikën e komuniteteve të bashkive ku punojnë. ReLOaD nuk është një projekt që mbështetjen e organizatave e ka një ndër aktivitetet e tij, por e ka atë komponentin kryesor. Organizatat tona partnere, mbështeten ditë pas dite sipas nevojave.

Në shifra, mund të them që gjatë Thirrjes së parë publike ne kemi patur 194 aplikime në 12 bashkitë partnere, nga të cilat janë përzgjedhur 28 organizata të shoqërisë civile. Rreth 80 për qind e tyre janë organizata lokale, disa nga të cilat zbatojnë projekte të kësaj natyre për herë të parë.

-Shqipëria është e vogël, por kur udhëton në të, të duket më e madhe nga ç’e imagjinon. Çfarë kërkojnë më tepër njerëzit në zonat rurale?

Njerëzit në zonat rurale, sigurisht që kanë kërkesa më bazike së ato në zonat e mëdha urbane. ReLOaD dhe bashkitë përkatëse janë munduar ti përgjigjen kërkesave të tyre, duke prioritizuar ato që janë më emergjente dhe në përputhje me fushën tonë të veprimit. Psh, jemi duke mbështetur të rinjtë në Qukës/Prrenjas nëpërmjet trajnimeve në fushën e bletarisë, mbështesim prodhuesit e gështenjës në Tropojë për parandalimin e sëmundjeve të gështenjës, me të cilën sigurojnë jetesën, 15 gra nga njësitë administrative të Roskovecit po trajnohen për të përgatitur në kushte shtëpie sapunin organik nga mbetjet e vajit të ullirit, mbështesim në Përmet një studim dhe terapi falas për fëmijët me aftësi të kufizuara, në Dibër po krijojmë harta digjitale për pyjet e bashkisë si dhe po ngremë një strehëz për gratë dhe fëmijët e dhunuar, ndërkohë në Librazhd, të rinjtë janë angazhuar në pastrimin e mbetjeve në anët e lumit Shkumbin, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit, etj..

-Cila është ndihma e madhe që ky program i ka dhënë komunitetit, Bashkive dhe organizatave?

Së bashku me Bashkimin Evropian, si donator kryesor i këtij programi synojmë që të arrijmë të gjithë rezultatet e parashikuara. Është shumë e rëndësishme që ReLOaD të ketë qëndrueshmëri dhe të përgatisë një model transparent dhe gjithëpërfshirës në menaxhimin e projekteve në nivel lokal me fonde publike.

Së pari, ky projekt synon që të krijojë një model të mirëfilltë të bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile. E për ta bërë këtë, projekti ka krijuar dy instrumente: (i) një metodologji për disbursimin e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile, një dokument që është miratuar në Këshillat bashkiakë të 12 bashkive partnere e si i tillë është një dokument i detyrueshëm për tu zbatuar dhe (ii) bashkitë partnere janë angazhuar që për herë të parë të projektojnë një linjë të dedikuar buxheti për financimin e organizatave të shoqërisë civile. Të dy këto instrumente na bëjnë të besojmë se projekti do të ketë qëndrueshmëri.

Në fund, përfitues të bashkëpunimit ndërmjet bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile janë vetë qytetarët. Ka disa shërbime, të cilat shpesh i kryejnë më mirë organizatat e shoqërisë civile, për shkak të ekspertizës që kanë në terren. Nga ana tjetër krijimi i një ambienti ligjor dhe financiar favorizues është një ndër parimet/rekomandimet kryesore të Bashkimit Evropian për avancimin e agjendës integruese të vendit.