Kulturë Rene Rexhepi, një kampion botëror kulinarie që gatuan me thartirë

Rene Rexhepi, një kampion botëror kulinarie që gatuan me thartirë

Nga Entela Resuli

Në restorantin më të mirë të botës, nën drejtimin e kryekuzhinierit Rene Rexhepi gatuhet me produktet vendore të stinës, por edhe me thartirën e thneglave të malit, me koka të fermentuara të peshkut dhe me ”fucks” të panumërta të shefit. Kështu shkruan noz.de duke prezantuar filmin dokumentar “Noma” që i kushtohet kuzhinierit shqiptaro-danez të vlerësuar disa vjet rresht si më i miri në botë.

Regjisori i dokumentarit, Pierre Deshamps ka ndjekur prej disa vitesh me kamerën e tij zhvillimet në restorantin “Noma” që cilësohet si tempulli i gurmanëve në Kopenhagë.

Aty sundon kryekuzhinieri Rene Rexhepi. Kredoja e tij është: merr përbërësit që i gjen në afërsi dhe që përputhen me njërën nga katër stinët e vitit, me këtë koncept thelbësor për vendin dhe kohën, Rexhepi krijon kuzhinën e tij rreptësisht sezonale, origjinale nordike, të tillë çfarë nuk ka pasur kurrë më parë në restorante. Si rezultat, ai ma marrë çmimet për restorantin më të mirë të botës në vitet 2010, 2011, 2012 dhe 2014.

Por si ia del kuzhinieri i rritur në Maqedoni ta bëjë këtë?  Me shumë pasion, kureshtje, talent dhe gjithsesi, me një ekip prej dyzet vetash, kreativitetin e të cilëve Rexhepi vazhdon ta sfidojë gjithnjë me receta të reja, sigurisht, të pazakonshme. Kamera është vazhdimisht shumë afër me tenxheret dhe me pjatat: si për të filmuar anët tërheqëse që të nxisin oreksin po ashtu edhe për të regjistruar sjelljen jokonformiste të shefit, krijuesit të restorantit. Ai nuk i do kravatat dhe nuk do t`ia dijë shumë për bontonin: fjala që ai përdor më së shpeshti është “fuck”.

Mendonte se do të mbetej gjithë jetën punëtor krahu

19 vite më parë, kur Rene Rexhepi në moshën 15 vjeçare braktisi gjimnazin si pasojë e rezultateve jo shumë të mira, me shumë gjasa do t’i ishte dukur po aq fantazi sa trilogjia e “Zotit të Unazave” fakti që 19 vite më vonë, do ta ftonin në Universitetin e Yale-s për të dhënë leksion mbi artin dhe mjeshtërinë e gatimit.

Ai as që e kishte ëndërruar faktin që për 4 vite rresht, Noma, restoranti i tij në Kopenhagen do të shpallej kuzhina më e mirë e rruzullit tokësor. Vetë Rexhepi e përshkruan kështu rrugëtim e tij përmes gjithë sagës së lodhshme të gatimit. “Për mua gatimi është diçka plotësisht transparente dhe pa shtirje. Gatimi është i ndershëm dhe fisnik. Gatimi ka brenda vetes vërtetësi dhe origjinalitet”. Këto fjalë i tha për gatimin, e megjithatë, kushdo po të shohë rrugëtimin e 38-vjeçarit, do të kuptojë që nuk gjen fjalë më të goditura për të karakterizuar personalitetin e Rexhepit.

Rene Rexhepi, në 2012-ën, u klasifikua nga revista Time, i njëmbëdhjeti ndër njëqind njerëzit më influencues në botë për atë vit. E thënë thjesht, në renditje, ishte përpara Presidentit të ShBA-ve, përpara Kancelares Merkel dhe shumë figurave të tjera me pushtet.

Po si shpjegohet që një kuzhinier të arrijë përmasa të tilla fame?

Në dy artikuj të The Guardian, Rexhepi shpjegon se në fillimet e veta, aso kohe kur sapo kishte lënë shkollën dhe ishte futur në akademinë e kuzhinës apo edhe më pas, si ndihmës kuzhinier nëpër restorantet Michelin të Kopenhagenit, mendonte se zanati i tij do mbetej gjithë jetën “një punë krahu”, shumë larg prestigjit të profesioneve me kostume e zyra. Por, në harkun e një dekade e gjysmë, ai e gjeti veten duke shtrënguar duar presidentësh, të cilëve në fakt, ua kishte kaluar për nga ndikimi. Pesë janë gjërat të cilat, Rene Rexhepi, nuk i harron asnjë çast të vetëm nga program i tij i ngjeshur prej 90 orësh pune në javë; Shija e mirë, larmia e ushqimit, ushqimi i shëndetshëm, shëndeti i njeriut dhe lumturia e tij janë shtyllat e Nomas dhe madje së pari, shtyllat e vetë jetës së Rexhepit.

Shqipëria, një vend shpartallues!

I intervistuar për gazetën amerikane “USA Today”, disa kohë më parë shefi i famshëm i kuzhinës, , Rëne Rexhepi (René Redzepi) ka treguar për rrënjët e tij shqiptare.

I pyetur se cili nga shumë vendet e botës që ka vizituar tashmë që është bërë i njohur i ka lënë më shumë përshtypje, ai ka thënë menjëherë: “Shqipëria. Më ftuan sepse kam gjak shqiptari. Është një vend shpartallues. Një nga vijat e pakta bregdetare ende të paprishura të Europës”.

Fjalët e tij nuk kalojnë pa u vënë re. AI ishte pothuajse i panjohur kur në vitin 2003 hapi restorantin Noma në Kopenhagë. Po ka disa vjet që fama e tij ka shkuar në katër anët e rruzullit. Pak mjeshtër të kuzhinës gëzojnë një famë të tillë. Çdo gjellë që gatuhet në Noma është një lloj vepre arti. Ingredientët janë të gjitha të rralla, të rritura në vende të caktuara të botës. Gërshetimi I shijeve dhe vlerave ushqimore është gjithnjë origjinale. Çdo gjë që gatuhet synon të karakterizohet nga elegance dhe thjeshtësia.

Libri i dytë Rëne Rexhepit ka tri vëllime dhe quhet “Një punë në zhvillim e sipër”. Ndërsa tashmë ndodhet për vizitë në SHBA, ku preferon të shkojë në Bregun Perëndimor, sidomos në California, por i përmend restorantet gjithnjë rikthehet në Manhattan. Ky është edhe qyteti ku më shumë se 100 restorante zotërohen e administrohen nga shqiptarë, por nuk dihet nëse mjeshtri nga Danimarka ka bujtur në ndonjë prej tyre.

Rëne Rexhepi i lindur në 1977 në Kopenhagë, është djali i një mërgimtari shqiptar nga Maqedonia, ndërsa nënën e ka daneze. Që prej katër vitesh, restoranti i tij shpallet rregullisht më i Miri në Botë, një gjë e rrallë kjo duke pasur parasysh konkurrencën e jashtëzakonshme. Revista “Times” e shpalli në 2012 si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.

Nuk ka fushatë reklame që ka më shumë peshë sesa një e fjalë e tij dhe lavdërimi që i bëri bregdetit shqiptar është një nder që i bën Shqipërisë. Po është e rëndësishme që qeveritë e vendit të tregojnë kujdes për të mos lejuar shkatërrimin dhe ndotjen e bregdetit si ka ndodhur për fat të keq tashmë me një pjesë të tij.

Përpjekja për të kuruar masivizimin e të ushqyerit

Ndikimi i Rene Rexhepit në arenën globale është pasojë e përpjekjes së tij për të kuruar një problem të madh të globalizimit modern: dukurinë e masivizimit të të ushqyerit nëpërmjet industrializimit të tij. Ky është një problem, të cilin për ta kuptuar, nuk kemi nevojë të shkojmë më larg se supermarketi poshtë shtëpisë sonë. Marka ushqimore të prodhuara me planifikim në seri përmes politikave fiskale dhe të marketingut. Ndodh që produkti që gjendet brenda ambalazhit apo arkës, është subjekt i dyshimit tonë mbi të qenit apo jo i sigurt dhe shëndetshëm. Shpesh, konstatojmë mungesë larmishmërie në produktet ushqimore, e cila krijon kulturën masive të të konsumuarit vetëm të një profili ushqimesh (dhe kryesisht produkte te lidhura me mishin), në një kontingjent apo në një numër shoqërish, kulturalisht të ngjashme. i gjithë ky cikël industrial konsumi përbën një problem të madh në këndvështrimin e Rexhepit. “Shekullin e kaluar, ky lloj prodhim-konsumi ushqimor ka çuar drejt zhdukjes shumë specie të nevojshme për njeriun. Kjo është edhe arsyeja pse sot është kaq e vështirë ta gjejmë domaten apo kastravecin me shijen që kanë pasur dikur”, shton Rexhepi.