Bota “Rënia e Afganistanit na befasoi”, sekretari amerikan i Mbrojtjes: Nënvlerësuam korrupsionin

“Rënia e Afganistanit na befasoi”, sekretari amerikan i Mbrojtjes: Nënvlerësuam korrupsionin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin deklaroi të martën në Kongres se rënia e papritur e ushtrisë afgane e kapi Pentagonin në befasi.

Austin raportoi mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani dhe foli për nivelin e lartë të korrupsionit që dëmtoi sipas tij moralin në radhët e afganëve.

“Ne ndihmuam në ndërtimin e një shteti, por nuk mund t’i jepnim formë një kombi. Fakti që ushtria afgane, të cilën ne dhe aleatët e stërvitëm, u shkërmoq na befasoi të gjithëve dhe do të ishte gënjeshtër të thoshim të kundërtën. Duhet të përballemi me disa të vërteta që nuk na pëlqejnë. Si për shembull që nuk kuptuam korrupsionin e thellë dhe lidershipin e dobët në radhët e pushtetit,” – deklaroi ai.

Sekretari i Mbrojtjes foli në fillim të një seance dyditore, ku pritet të dëgjohen fjalimet më të debatuara në lidhje me fundin kaotik të luftës në Afganistan, që mori jetët e mijëra ushtarëve amerikanë dhe të qytetarëve afganë dhe lejoi kthimin e talebanëve në pushtet.

Komisionet e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve që mbikëqyrin ushtrinë amerikane po drejtojnë seancën në fjalë, me republikanët që shpresojnë të godasin aty ku shohin gabime, që sipas tyre i ka bërë administrata e presidentit Joe Biden në dhënien fund të dy dekadave luftë.