Kryesore Rënie e besimit tek udhëheqësit në mbarë botën, por jo te Merkel...

Rënie e besimit tek udhëheqësit në mbarë botën, por jo te Merkel dhe Papa. Ja pse

Rënie e besimit tek udhëheqësit në mbarë botën, por edhe shpresë tek Europa – Rezultatet e anketimit në 50 vende. Shefi i Gallup, Kancho Stoychev shpjegon, përse Angela Merkel dhe Papa vazhdojnë të gëzojnë popullaritet.

DW: Zoti Stoychev, cilat janë tendencat kryesore mbarëbotërore, që keni evidentuar nga anketimi i sivjetëm i Gallup për vlerësimin e politikanëve drejtues?

Kancho Stoychev: Nëse shohim renditjen globale të “Global-Leaders-Rating”, tendenca më e spikatur është, se në mbarë botën vlerësimet janë në rënie, pothuajse pa asnjë përjashtim. Në regjistrojmë një krizë të lidershipit, që po ashpërsohet. Kjo është mjaft e rrezikshme, sepse ne kemi vlerësuar dymbëdhjetë personalitete drejtuese dhe këta politikanë përfaqësojnë mbi katër miliardë njerëz, që janë më shumë se gjysma e popullsisë botërore. Kjo do të thotë, që ne kemi një krizë politike referuar politikanëve kryesorë. Nëse kemi një krizë politike me personalitetet drejtuese në më shumë se gjysmën e popullsisë botërore, ky është një problem serioz.

Në krye të renditjes qëndrojnë Papa dhe kancelarja gjermane – ju keni edhe vlerësime pozitive pra. Çfarë do të thotë kjo?

Ky ishte një mesazh i qartë i njerëzve në mbarë globin: Ata preferojnë një veprim të reflektuar dhe të matur, të përgjegjshëm. Papa vlerësohet më shumë si një figurë e madhe reference, jo si person politik. Ai është një udhëheqës shpirtëror. Sa i përket kancelares Angela Merkel vlerësimi është i tillë: Në krahasim me tre vite më parë ajo ka humbur pesë përqind. Megjithatë ajo është ende në mbarë botën politikania më e vlerësuar pozitivisht dhe personaliteti më i pranuar politik. Kjo tregon qartë, se çfarë mënyre qëndrimi global dëshirojnë njerëzit.

Klasifikime negative jepen për udhëheqësit e fuqive botërore. Çfarë do të thotë kjo?

Disa udhëheqës politikë kanë humbur seriozisht besimin dhe reputacionin. Ndër ta vitet e fundit kemi konstatuar një rënie të ndjeshme të besueshmërisë, p.sh. tek kryeministri i Indisë Modi. Por edhe tek presidenti i Rusisë Putin dhe disa politikanë të tjerë kryesorë kanë pësuar rënie. Presidenti i SHBA-së Trump është vlerësuar më negativisht krahasuar me tre vjet më parë. Sipas sondazhit tonë ai ka rënë në fund të listës së dymbëdhjetë udhëheqësve globalë. Ne ndodhemi në një kohë kur vërejmë dy tendenca: Një tendencë “me-first”- world, që nxit nacionalizmin etj. dhe një tendencë “we-are-the-world”.

Kjo do të thotë: Ne jemi të lidhur. Nëse bota dominohet nga një superfuqi, kjo menjëherë çon në globalizim, sepse rritet varësia reciproke. Shprehur në mënyrë figurative nëse në qytet është vetëm një polic, raportet e pushtetit ndryshojnë. Por tani nuk e kemi më këtë situatë. Bota ka të paktën katër superfuqi serioze: SHBA, Rusia, Europa dhe Kina. Kjo situatë jo vetëm e ka ngadalësuar procesin e globalizmit, por njëkohësisht edhe ka nisur një proces të ri, atë të rajonalizimit. Ky nuk është rajonalizim vetëm në aspektin gjeografik, por edhe në kuptimin politik dhe kulturor.

Kancho Stoychev, president i Gallup International Association

A nuk është paradoks – Europa dobësohet, por politikanët kryesorë europianë gëzojnë besim të madh në mbarë botën?

Ka si gjithmonë dy anë të medaljes: Europa me distancë të madhe shihet si fuqia më e madhe stabilizuese. Nga ana tjetër Europa vuan nga një sërë problemesh si tani p.sh. me procesin e përfundimit të Brexitit. Europa është ndoshta shpresa e fundit e madhe e njerëzimit të këtyre ditëve për një zhvillim botëror paqësor, të përgjegjshëm, të drejtuar prej arsyes me pushtetin e saj të njohur si “Soft Power”. Problemi është, se ky Soft Power ndoshta nuk është më i mjaftueshëm.

Sipas vëzhgimeve tuaja afatgjata cilat janë tendencat më të mëdha lidhur me lirinë dhe paqen?

Në vëzhgimet afatgjata tendenca është pozitive. Gallupi i realizon të tilla anketime që prej 73 vjetësh. Para 73 vjetësh anë e mbanë në kokat e njerëzve lufta ishte diçka normale – dhe jo vetëm në kokë, por edhe në realitetin e jetës. Ndërsa sot paqja është një normë e pranuar. E njëjta gjë vlen jo vetëm për një komportim normativ të njerëzve lidhur me paqen, por edhe sa i përket rritjes ekonomike si normë. Ne e dimë, që rritja ekonomike në histori nuk ka ekzistuar gjithmonë. Njerëzimi ndryshon. Por për fat të keq gjatë ndryshimeve ai konfrontohet edhe me sfida të reja.

Nëse ne vëzhgojmë pasqyrën globale politike aktuale, shohim, se konfrontimi është në rritje. Në vetëdijen e masave është një frikë në rritje, që rendi i ri botëror, që ne duhet të arrijmë nuk realizohet shpejt sa duhet.

Në këtë kontekst është e rëndësishme të shohësh, që shpresat në mbarë botën rriten, që Europa të luajë një rol më të rëndësishëm në politikën botërore. Ky ështënjë mesazh i qartë ndaj politikanëve europianë, që jo vetëm ta kuptojnë atë, por ata edhe duhet të përpiqen sa më shpejt të jetë e mundur t’u bëjnë ballë luftërave dhe problemeve të brendshme dhe të riformatohen, në mënyrë që më e mira qysh nesër të mund t’u përkushtohen temave globale.

Kancho Stoychev është president i Institutit Gallup International për Hulumtimet e Tregut dhe Opinionit./ DW