Kryesore Reperi me origjinë nga Egjipti fiton festivalin e Sanremos, polemika në Itali

Reperi me origjinë nga Egjipti fiton festivalin e Sanremos, polemika në Itali

Një fitore që hap polemika, por në festivalin e 69-të të Sanremos triumfon një këngëtar 27-vjeçar, Mahmud, me nënë italiane dhe baba egjiptian.

Ai njihet si reper dhe ka marrë pjesë një vit më parë në festivalin e të rinjve në skenën e Ariston, ndërsa një vit më pas skena e të mëdhenjve është e gjitha e tija. Në vendin e dytë është renditur Ultimo dhe të tretin grupi “Il Volo”. Fjalët e para të Mahmud për mediat italiane ishin: “Faleminderit të gjithëve, nuk po arrij ta besoj”.

Italo-egjiptiani rezultoi më i votuari nga teleshikuesit, të cilët e kishin renditur Mahmud krahas grupit “Il Volo” dhe Umtimos. “Soldi”, kënga me të cilën perforoi 27-vjeçari u shpall fituese duke bërë që Mahmud të mos e besojë për pak sekonda se ishte ai triumfuesi i këtij edicioni të Sanremos.

Polemikat

Nuk munguan menjëherë polemikat për përkatësinë e tij etnike si italo-egjiptian. Pas fitores Mahmud u shpreh: “Unë jam 100% italian, nëna ime është nga Sardenja dhe babai im është egjiptian, por unë kam lindur dhe rritur në Itali”.

Pjesë e polemikave u bë edhe zv/kryeministri dhe ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini i cili u shpreh kundër fitores së 27-vjeçarit, duke atakuar që në fillim edhe emrin e tij. “Mahmood… mah….Kënga italiane më e bukur?!? Unë do kisha zgjedhur Ultimon, si mendoni??”, ka shkruar në rrjetet sociale Salvini.

Vitin e kaluar fitues i festivalit të Sanremos ishte një tjetër i huaj, këngëtari shqiptar Ermal Meta në duet me italianin Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente” (Nuk më ke bërë asgjë).

Ndërsa fituesi i këtij edicioni, me origjinë egjiptiane, është një tjetër tregues konkret se politikat e Salvinit dhe një pjese të vendeve të Bashkimit Europian kundër të huajve dhe emigrantëve duhet të reflektojnë dhe t’i shërbejnë një shoqërie të hapur, një shoqërie që di të integrohet. Dhe askush më mirë se arti dhe kultura nuk e tregojnë këtë.