Kryesore Replikat/ Berisha, Bashës: Ka tradhti… kam dalë kokulur nga Parlamenti

Replikat/ Berisha, Bashës: Ka tradhti… kam dalë kokulur nga Parlamenti

Votat demokrate pro Gramoz Ruçit e kanë tërbuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Është e pafalshme ajo që ndodhi. Duhet të vendosim rregulla serioze dhe të ndëshkohen ata që votuan Ruçin. Dje kam dalë kokulur nga salla e Parlamentit. Jam ndjerë i fyer dhe i lënduar, Kam bindjen se votat u shitën dhe aty ka një tradhti”, ka deklaruar sot në mbledhjen me dyer të mbyllura Berisha.

Dy deputetë të PD, Gent Strazimir dhe Grida Duma, nxituan mbrëmë të akuzojnë PS se i vodhi votat.

Por edhe ky variant nuk i shërbeu Bashës.

Si rrallë ndonjëherë, ai ka parë të ketë kundër në grupin parlamentar, Sali Berishën, mbështetësin e tij në çdo rrethanë, deri më sot.

Berisha nuk ka kursyer edhe deputetë që folën në emër të grupit për vjedhje të votave.

Replikat me Salianjin:

Berisha: Kush e bëri na futi thikën mbrapa. Nuk duhet ta falim atë që e bëri. Ata që e bënë duhet ta dinë që ne e dënojmë. Na duhen prova për të qenë serioz. Të kërkojmë prova nga komisioni se nuk na shërben të mbajmë qëndrim në fallsitet. Se nuk jemi vetëm, janë populli që na gjykon. Nuk mund të gjejmë pretekst që t’i hedhim hi syve.

Salianji: Unë bindem vetë…

Berisha duke ju drejtuar Salianjit:

“Asnjë nga ju pa mbledhje grupi nuk mund të prononcoheshit. Grupi është grup. Të pranoj unë se je ti i bindur për gabim s’e pranoj. Unë kam bindjen që aty është tradheti. Nuk ngushëlloj mbështetësin me një mashtrim. Kush del në emër të grupit, merr miratimin e grupit nuk del vetë. Këta nuk kanë të drejtë të bëjnë deklarata në emër të grupit.

Më vjen keq Ervin po këtu s’jam dakord. Kjo që thua ti nuk ka ndodhur në 27 vjet, manipulimi i komisionit. Ndërkohë që kjo që themi ne, shitblerja e deputetëve ka ndodhur. Ky ka hyrë në parlament rishtar dhe nuk e di. Në 27 vjet ka 50 raste shitje. Kurse kjo e jotja nuk ka ndodhur kurrë”.

Replika me Grida Dumën

Grida Duma: Unë mendoj që mjafton qëndrimi që mbajta dje, t’i qëndrojmë asaj.

Berisha: Grida nuk kemi qenë dakord me qëndrimet e tua. Ti nuk mund të flasësh dhe të thuash në emër të grupit kur grupi nuk është mbledhur. Qëndrimin që do mbajmë tani do jetë i grupit.