Bota Replikat Putin-Macron/ Dy presidentët debatojnë për jelekverdhët dhe protestuesit në Rusi

Replikat Putin-Macron/ Dy presidentët debatojnë për jelekverdhët dhe protestuesit në Rusi

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai francez, Emmanuel Macron, kanë këmbyer replika gjatë takimit të tyre në lidhje me protestat.

Putin i tha homologut francez se nuk do të donte protesta të stilit të “jelekë verdhëve”, në Rusi. Dhe ky ishte një reagim ndaj thirrjes së Macron-it që Rusia t’i përmbahet parimeve demokratike, duke iu referuar protestave të kohëve të fundit në Moskë. Macron-i e priti Putin-in në rezidencën e tij verore në jug të Francës, pesë ditë para takimit të G7. Megjithëse bisedimet u përqendruan te krizat ndërkombëtare, Macron u përpoq të diskutonte me Putin edhe situatën e brendshme në Rusi.

“Këtë verë ne bëmë thirrje për liri për të protestuar, për liri të fjalës, mendimit e për të konkurruar në zgjedhje, gjë që duhet të respektohet plotësisht në Rusi si për çdo vend tjetër anëtar të Këshillit të Evropës”, tha Macron.

Ndërsa fillimisht, Putin u duk se injoroi komentin, ai e kundërshtoi më pas Macron-in duke thënë se gjithçka po trajtohej në përputhje me ligjin, duke shtuar se nuk donte që situata të përshkallëzohej si në Francë.

“Ne të gjithë i kemi parë ngjarjet e lidhura me të ashtuquajturit ‘jelekët e verdhë’, gjatë protestave të të cilëve, sipas llogaritjeve tona, u vranë 11 persona dhe 2500 u plagosën. Nuk do të dëshironim që ngjarje të tilla të ndodhnin në Moskë dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar situatën e brendshme politike dhe çdo veprim ka qenë në mënyrë rigoroze brenda kuadrit ligjor”, deklaroi Putin.

Për Macron-in sidoqoftë, krahasimi me Francën ishte i pavend, pasi jelekëverdhët mund të marrin pjesë në zgjedhje.