Bota Republika Çeke viktimë e suksesit nga koronavirusi, kryeministri i kërkon falje popullit

Republika Çeke viktimë e suksesit nga koronavirusi, kryeministri i kërkon falje popullit

Kriza e koronavirusit në Republikën Çeke është tani në një situatë aq kritike, sa kur kryeministri, Andrej Babis po fliste para gazetarëve gjatë një konference shtypi, ai bëri atë që pak udhëheqës bëjnë, iu kërkoi falje njerëzve, plot pesë herë.

Babis, pranoi se ai dhe qeveria e tij kishin bërë disa gabime në mënyrën si kanë trajtuar shpërthimin e pandemisë dhe iu lut njerëzve që të ndiqnin rregullat e rrepta të bllokimit.

“Më vjen keq për kufizimet e reja që do të ndikojnë në jetën e pronarëve të bizneseve, qytetarëve, punonjësve. Më vjen keq, gjithashtu, që de facto përjashtova mundësinë që kjo të ndodhte sepse nuk mund ta imagjinoja që kjo do të ndodhte”, tha Babis.

Andrej Babis

Masat e reja çeke, të cilat hynë në fuqi, të enjten në mëngjes, përfshijnë kufizime në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mbylljen e shërbimeve dhe dyqaneve që nuk kanë funksion thelbësor. Masat do të jenë në fuqi deri më 3 nëntor.

Për javë të tëra, kryeministri refuzoi të vendoste rregulla më të rrepta mbi popullin, duke përmendur nevojën për të mbrojtur ekonominë. Por vendimi, i cili në disa raste kundërshtonte mendimin e ekspertëve, ka çuar në një përhapje të gjerë të virusit.

Kombi prej 10 milionë qytetarësh po raporton tani më shumë raste të reja Covid-19 për 100,000 njerëz sesa çdo vend i madh në botë.

Republika Çeke u vlerësua në rang global për mënyrën si trajtoi valën e parë të pandemisë në pranverë kur qeveria vendosi një bllokim të hershëm dhe bëri maskat të detyrueshme në një kohë kur pjesa më e madhe e botës perëndimore nuk e konsideronte atë lëvizje. Babis pranoi, të mërkurën, se vendi ishte bërë viktimë e suksesit të tij.