Aktualitet Reshjet e shiut, 2540 hektarë tokë të përmbytura në Shkodër dhe Lezhë

Reshjet e shiut, 2540 hektarë tokë të përmbytura në Shkodër dhe Lezhë

2540 hektarë tokë janë të përmbytura në Shkodër dhe në Lezhë si pasojë e reshjeve të shiut gjatë orëve të fundit.

Në Shkodër janë 1920 hektarë tokë nën ujë. Nga këto, në Njësinë Administrative të Ana Malit është përmbytur 1100 hektarë tokë.

Në Dajç, rruga Darragjat-Shirq e pakalueshme ne vendin e quajtur Urrelat, ku sipërfaqja e tokës së përmbytur është rreth 300 hektarë. Në Bërdicë, toka e përmbytur është 200 hektarë, në Gur i Zi toka e përmbytur 170 hektarë, në Velipojë 150 hektarë.

Në rrugën e Obotit nuk kalohet me mjete të ulëta, vetëm me mjetet e kalueshmërisë së lartë ushtarake. Ujësjellësi Oblika 1 momentalisht është jashtë funksionit.

Rruga Theth-Breglumi është e bllokuar nga rëshqitjet e dherave. Strukturat e Emergjencave Civile Bashkia Shkodër janë në terren për monitorimin e situatës.

Ndërsa në Lezhë janë të përmbytura rreth 620 hektarë tokë. Në Zadrimë janë 120 hektarë tokë nën ujë, në 350 hektarë tokë të përmbytura janë në zonën përreth Hidrovorit të Balldrenit, 50 hektarë në zonën përreth hidrovorit të Tales, në Fushën e Gjonëmit janë rreth 100 hektarë tokë të përmbytura.

Ndërsa situata në Bashkinë e Mirditës paraqitet e qetë, raportohet vetëm mungesë e energjisë elektrike në disa zona.