Aktualitet “Reuters”: TAP “çan” malet shkëmbore shqiptare

“Reuters”: TAP “çan” malet shkëmbore shqiptare

Tubacioni Trans Adriatik (TAP) ka kaluar malet shkëmbore të Shqipërisë, duke e vënë atë në rrugën e duhur për të filluar furnizimin me gaz të Evropës vitin e ardhshëm, kështu shkruan Reuters.

TAP është gur themeli i politikës së Bashkimit Evropian për sigurimin e energjisë dhe për të larguar bllokun nga ndikimi i drejtpërdrejtë i gazit rus, me një shtrirje prej 878 km nga kufiri i Turqisë në të gjithë Greqinë, malet e Shqipërisë dhe përmes detit Adriatik në Itali.

Tubacioni do të transportojë deri në 10 miliard metra kub (bcm) të gazit natyror në vit nga fusha e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Itali, duke filluar nga viti i ardhshëm.

Nga kostoja totale e TAP-it prej 4.5 miliard euro, sipas Reuters seksioni në të gjithë Shqipërinë ka kushtuar një të tretën për shkak të terrenit sfidues malor.

“Ne jemi krenar që kemi arritur këtë sfidë dhe kemi ndërtuar një tubacion të klasit botëror që kalon malet mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit”, i tha Reuters, drejtori i TAP Albania, Malfor Nuri, duke shtuar se TAP është investimi më i madh i huaj në Shqipëri.

Agjencia shkruan se pjesa më e madhe e tubacionit është shtrirë tashmë në Greqi dhe Shqipëri.

Përveç terrenit, investitorët duhej të merreshin 100 herë më shumë me pronarë në Shqipëri sesa në vendet e tjera evropiane dhe se duhet të nënshkruanin dy herë marrëveshje me pronarët e tokës ndryshe nga se ka ndodhur në Greqi, thanë përfaqësuesit e TAP AG në Shqipëri.