Aktualitet “Revansh i krimit në qytetet kryesore”, Meta: Autorët e këtyre krimeve duhet...

“Revansh i krimit në qytetet kryesore”, Meta: Autorët e këtyre krimeve duhet të ndalohen sa më parë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në vend, ku vetëm në ditët e fundit janë vrarë 3 persona, dy prej të cilëve në atentate të tipit mafioz.

Meta, vrasjet e ditëve të fundi i quan si një revansh të krimit në vend. Në një reagim në mediat sociale, Presidenti shprehet se kërkohen masa të menjëhershme dhe parandaluese nga të gjitha insitucionet.

Më tej kreu i shtetit thekson se “autorët krimeve duhet të ndalohen sa më parë dhe aktet kriminale të konsumuara në zemër të qyteteve tona“.

“Revanshi i krimit në qytetet kryesore të vendit kërkon masa të menjëhershme reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

Autorët e këtyre krimeve duhet të ndalohen sa më parë dhe aktet kriminale të konsumuara në zemër të qyteteve tona, që po tronditin rëndë opinionin, duhen të zbardhen menjëherë nga drejtësia dhe duhet të marrin dënimin më të rreptë ligjor“, shkruan Meta në Facebook.

Everest dhe Silvana Çaka ranë pre e një atentati me silenciator në Elbasan, mbrëmjen e së martës. 41-vjecari mbeti i vrarë, ndërsa Silvana u plagos në dorë.

Viktimë e një ekzekutimi mafioz mbeti dhe Bledar Birçaj në Vlorë, më 10 maj.

Ngjarja e tretë tronditëse ishte ajo e mesnatës së të hënës, kur loja me armën e mbushur përfundoi tragjikisht në rrugën “5 Maji” në Tiranë. 28-vjeçari Marius Dema qëlloi nga pakujdesia shokun e tij Mehmet Qema, ndërsa plaga e marrë në gjoks i shkaktoi vdekjen 27-vjeçarit.