Bota Revista “Time” heq për herë të parë në histori emrin nga kopertina

Revista “Time” heq për herë të parë në histori emrin nga kopertina

Për herë të parë në historinë e saj, revista amerikane “Time” ka hequr emrin e saj nga kopertina dhe e ka zëvendësuar me foljen “Votoni”.

Ndryshimi vjen si një thirrje për lexuesit në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit, por edhe si një mesazh për edicionin special që del një ditë para zgjedhjeve dhe që do të trajtojë ditët e fundit të fushatës zgjedhore.

“Pak ngjarje do të ndikojnë të ardhmen e botës më shumë sesa rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane”, tha kryeredaktori dhe CEO i “Time”, Edward Felsenthal, në një mesazh drejtuar lexuesve. Këtë veprim, revista prestigjioze nuk e kishte bërë kurrë, që prej botimit të numrit të parë në vitin 1923.

Autori i logos së veçantë është artisti Shepard Fairey, i cili u bë edhe më i famshëm pas posterit të presidentit Barack Obama me mbishkrimin “Hope” – “Shpresë” gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008. Në kopertinë mungon emri i presidentit Donald Trump, edhe pse në katër vitet e presidencës së tij, ka qenë i pranishëm më shumë se 20 herë aty, shpesh për t’u kritikuar.