Opinione Revolta populiste dhe Perëndimi i ri i frikës

Revolta populiste dhe Perëndimi i ri i frikës

720
0
Shpërndaje
Gjergji Kajana

Nga Gjergji Kajana*

Populistët kanë një avantazh të jashtëzakonshëm ndaj liberalëve: nuk kanë vlera universale të rrënjosura sepse – në përcaktimin e Enciklopedisë britanike – thjesht “pohojnë se janë mbrojtës të interesave të qytetarit të mesëm kundër elitave”, të cilat janë liberale. Përcaktimi vazhdon: “Përçojnë frikërat dhe entuziazmet e popullit dhe bëhen promotorë politikash pa konsideruar pasojat për vendin”. Dy fituesit e zgjedhjeve italiane, Di Maio i 5 Yjeve dhe Salvini i Ligës, janë (mes të tjerash) vaksino-skeptikë: ata që promovojnë frikëra antishkencore grupesh të vogla të popullsisë se vaksinat janë një shpikje e shtëpive farmaceutike (një pushtet i fortë elitar e antipopullor!) për të mbushur llogaritë bankare të këtyre shtëpive. Pasojat e mosvaksinimit të njeriut janë sëmundje shumë të rënda ose vdekja. Kur i pyet të përgjigjen se janë të vaksinuar e kanë vaksinuar (me të drejtë) fëmijët e tyre. Sipas të gjitha hamendësimeve politike racionale të paktën njëri prej këtyre personazheve do të shohë të paktën partinë e vet në qeveri nëse nuk do të jetë ai vetë kryeministër në Romë.

Për të mbyllur përcaktimin e populizmit: Populli përbën – në këtë doktrinë – një njësi sociale homogjene në vullnetin e vet dhe vetëm partia populiste e përfaqëson këtë vullnet, partitë e tjera janë thjesht shprehje e këtyre pushteteve të forta si bankat, shtëpitë farmaceutike, Fondacioni Soros, ngrehinat ndërkombëtare si BE-ja. Kalimi nga populizmi në autoritaritarizëm është i natyrshëm, si në Venezuelën e dyshes Chavez – Maduro, e cila sot lufton me urinë. Mund të mos jetë i paevitueshëm (Tsipras në Greqi kuptoi para 3 vjetësh se kostot e kokëfortësisë anti-BE ishin radhët e grekëve të trembur para bankomateve për të tërhequr pak dhjetëra euro në ditë) por mund të ndodhë qetësisht. Populizmi është thellësisht konservator e i përshtatshëm për një botë të mbyllur. Nëse vepron në një botë të globalizuar do të tentojë ta mbyllë. Pikërisht ajo që po mundohet të bëjë sot.

Trump, kreu i populistëve botërorë (i tillë sepse është në krye të një perandorie politiko-ushtarake-ekonomike), kërcënon botën me tarifa mbi çelikun e aluminin duke nxjerrë si arsye një të atillë të cilën nëse e kundërshton të bën menjëherë tradhtar: interesin kombëtar (sepse çeliku e alumini shërbejnë për prodhimin e armëve). Kërcënon të vendosë tarifa edhe ndaj industrisë automobilistike evropiane. Në nivel botëror SHBA përfaqësojnë 9% të eksporteve e 14% të importeve. Në histori kanë ndërhyrë në luftërat botërore pikërisht për të mbajtur të hapura për tregtinë e lirë me pjesën tjetër të botës zona për to ekonomikisht shumë të rëndësishme si Evropa (kërcënuar nga nacionalizmi gjerman në të dyja luftërat) e Azia (kërcënuar nga japonezët), pasi kishin kthyer në një treg shtëpiak për ekonominë e tyre kontinentin amerikan. SHBA kanë nevojë jetike për tregtinë e lirë, predikuar e materializuar nën rendin liberal që sot populistët si ky president po mundohen të shkatërrojnë. Raprezaljet që të goditurit nga tarifat (në radhë të parë BE e Kina) do të ndërmerrnin ndaj këtyre veprimeve trumpiane do të shkaktonin një luftë tregtare që do të ulte nivelin e prodhimeve në botë, duke sjellë papunësi e varfëri. Kush njeh historinë e di se kushte të këtilla pas krizës 1929-1933 krijuan kushtet për një luftë botërore mes shteteve. Tregtia e lirë është një nevojë e globalizimit.

Populistët ulërasin kundër emigracionit ilegal e kulturalisht stigmatizojnë emigrantët e ligjshëm. Kudo në botë emigrantët e keqpaguar e shpesh të kequshqyer kryejnë punët që borgjezët e rinj perëndimorë nuk i kryejnë më. Në Itali emigrantët (mes të cilëve shumë shqiptarë) lejojnë Institutin Kombëtar të Sigurimit Social (INPS) të paguajë pensionet e italianëve të moshuar. Kriza demografike në Perëndim e mosha e re e shumë emigrantëve krijon një sufIçit neto prej derdhjeve monetare që puna e tyre bën të mundur të vijë si fluks në sistemin e sigurimit. Natyrisht diferencat kulturore mund të krijojnë një barrierë por nëse populistë si Di Maio e Salvini nuk do të ngrinin barrikada kundër një ligji të drejtë mbi nënshtetësinë (ligj i cili u varros pa u miratuar nën qeverinë Xhentiloni) sot Italia do të kishte mundësinë të kishte më shumë qytetarë me dinjitet brenda kufijve të vet kombëtarë.

Populistët flasin kundër kufijve të hapur e BE-së. Le të shpjegojnë 5 Yjet e Salvini sesi do t’ia dilte Italia të përballonte flukset nga Afrika pa fondet evropiane e marrëveshjet (për hir të së vërtetës të respektuara shumë keq nga parnerët e saj evropianë si psh. disa vende lindore si Hungaria e populistit Orban) për rishpërndarjen e të ardhurve. Nje bllokadë detare ndaj Libisë do të kishte shumë kosto e nuk do të siguronte ndalimin e flukseve. Për të qenë efikasë kihet nevojë për shumë BE (si psh. marëveshja Bruksel – Ankara e para dy viteve për të strehuar në Turqi refugjatët nga Siria), jo më pak BE. Një marrëveshje e këtillë duhet të zbatohet edhe me vendet afrikane.

Populistët promovojnë një kulturë të identitetit kombëtar që të shpie drejtpërsëdrejti në nacionalizëm e racizëm, ideologji universalisht të rrënjosura sepse shumë thjesht të kuptueshme e materiale: përkatësia një kombi (nacionalizmi) e mosbesimi ndaj të huajit të ndryshëm (racizmi) janë të vendosura në psiqikën e gjithkujt. Për të evituar një luftë civile në Serbi në vitet ’90 – luftë që mund të vinte prej një krize ekonomike e cila vazhdoi gjithë dekadën – Millosheviçi lëshoi Arkanët e nacionalizmit serb të plaçkisnin Kroacinë Lindore, Bosnjen e Kosovën. Historiani Georg Mose ka shkruar se racizmi është ideologjia më e suksesshme e historisë sepse gjatë Holokaustit çoi në gati asgjësimin e një kombi. Ithtarë partish si Grupimi Kombëtar (emri i ri i partisë së Marine Le Pen-it në Francë) janë – përveçse promotorë të proteksionizmit ekonomik (i cili vret zhvillimin ekonomik) – mohues të Holokaustit. Kur në Virxhinia një ekstremist i djathtë vret një protestues të majtë Trump fajëson “dhunën e të dyja palëve”. Kur në Maçerata të Italisë një neofashist legist qëllon me qëllim për të vrarë ndaj një grupi afrikanësh Salvini vazhdon të flasë për refugjatë që mbahen nga shteti italian (i cili duhet të respektojë normat ndërkombëtare, jo ato legiste) në hotele me 5 yje.

Populistët janë një grup reaksionarësh lirishtypës. Organizata Freedom House flet me shqetësim për trendin e ri antidemokratik, duke theksuar: “Të rinjtë, të cilët kanë pak kujtesë nga luftërat e gjata kundër fashizmit e komunizmit, mund të jenë duke humbur besimin e interesin në projektin demokratik”. Populistët godasin gjithmonë mediat (“fake news CNN” i Trumpit boksier në montazh) ndërsa përdorin e fabrikojnë lajme të rreme ndaj kundërshtarëve të tyre, natyrisht të ndihmuar nga një vend si Rusia. Godasin pushtetin gjyqësor (si në Poloni) e organet e ndërmjetme si sindikatat (Di Maio, shtator 2017: “Ose sindikatat do të autoreformohen ose, kur të jemi ne në qeveri, do ta bëjmë ne reformën”). Në Itali promovojnë në blogun e komedianit Grilo një demokraci të drejtpërdrejtë farsë.

Hapja e globalizimit para tre dekadash ishte një zgjedhje historike e elitave perëndimore që nuk u është shpjeguar mirë opinioneve të tyre publike. Kjo injorancë sjell frikëra e populizëm, paradhomë tensionesh ndërkombëtare që janë në zhvillim e sipër. Autoritarizmi në Kinë e Rusi është praktikë e përhershme, por jo në SHBA e Perëndim. Bota e lirë ndërkombëtare është në rrezik.

*Diplomuar për Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza”

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in