Sport Revolucion te Roma, Kumbulla mund të ketë trajner Allegrin

Revolucion te Roma, Kumbulla mund të ketë trajner Allegrin

Shumë pak gjëra tregoi Roma në ndeshjen e parë të kampionatit, ku barazoi 0-0 në fushën e Veronës (e humbi ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, për shkak të një gabimi në listën e futbollistëve).  Pronari i ri, Dan Friedkin, për momentin vetëm ka vëzhguar dhe ka mbajtur shënime. Roma e tij është në një fazë embrionale dhe qartësisht ka nevojë për një faktor rritjeje.

Në horizont duket revolucioni për një skuadër që sot është e pakompletuar. Largohet Fonseca dhe vjen Massimiliano Allegri, bashkë me Fabio Paraticin, ndoshta jo menjëherë, por shumë shpejt, shkruan gazeta italiane Libero.

Allegri ka treguar sinjale padurimi, mezi pret të marrë drejtimin e një skuadre prestigjioze. Dan Friedkin ka në kokë një plan preciz: ai kërkon një njeri të fortë për stolin për të komanduar ekipin. Allegri është i tillë dhe mbetet dëshira e parë e pronarëve të Romës. Ai mund të vijë bashkë me Fabio Paraticin, një çift i konsoliduar që te Juventusi.

Për Friedkin, ata do të ishin personat perfektë për të filluar një erë të re. Për momentin është një projekt, Fonseca nuk rrezikon largimin e menjëhershëm, por kalendari nuk e favorizon aspak, me Juventusin e Pirlos përpara. Nëse gjërat precipitojnë, ndërprerja e kampionatit për ndeshjet e kombëtares do të ishte momenti më i mirë për të kuptuar, nëse do të ndodhë revolucioni i tetorit te Roma, apo jo. Gjasat janë të shumta që në krye të Romës së Kumbullës, të vijë Massimiliano Allegri.