Ekonomi “Revolucioni i gjelbër”, BE propozon ndalimin e makinave me benzinë nga viti...

“Revolucioni i gjelbër”, BE propozon ndalimin e makinave me benzinë nga viti 2035

BE shpalosi sot planin e saj për të zeruar emetimet e karbonit në vitin 2050. Plani europian pritet të shkaktojë një përplasje politike epike mbi makinat elektrike dhe çmimet e karburantit, që mund të zgjasë me vite. Komisioni Evropian përmes këtij plani synon të transformojë ekonominë e Bllokut nga varësia e karburanteve fosile, në një botë me emetime zero të karbonit. Brukseli shpreson ta bëjë Evropën lider të padiskutueshëm në përmbushjen e qëllimeve të marrëveshjes së klimës në Paris.

“Evropa është tani kontinenti i parë që paraqet një arkitekturë gjithëpërfshirëse për të përmbushur ambiciet tona klimatike”, tha presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen.

“Ne kemi qëllimin, por tani ne paraqesim udhërrëfyesin se si do të arrijmë atje”, shtoi ajo.

Propozimet përfshijnë një ndalim efektiv të shitjes së makinave të reja me benzinë nga viti 2035, një nga lëvizjet më të guximshme kundër makinave me karburant, që tashmë ka ngritur shqetësime në Paris dhe Berlin.

Propozimet u bënë publike nga nënpresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.

Në zemër të paketës legjislative është ambicia për t’i dhënë jetë të re Sistemit të BE-së të Tregtimit të Emetimeve (ETS), tregu më i madh i karbonit në botë, ku industria paguan për ndotjen që shkakton.

Ligjet tani pritet të nisin rrugën përmes sistemit legjislativ të BE, ndërkohë që pritet debat mes 27 vendeve anëtare të bllokut, të nxitura nga lobistët e industrisë dhe aktivistët e mjedisit.

Kjo sepse secili shtet do të mbrojë interesat e tij sepse situatat e tyre janë shumë të ndryshme për sa i përket industrisë, gjeografisë, furnizimit me energji dhe kapacitetit të investimeve.

Rezistenca nga prodhuesit e makinave pritet të jetë e madhe, në një kohë kur vijon ende jehona e protestave të “jelekëve të verdhë” që shpërthyen në Francë kur qeveria vendosi një taksë të re karburanti në emër të mbrojtjes së mjedisit.

“E përshtatshme për 55”

Nisma po promovohet si paketa “E përshtatshme për 55”, pasi qëllimi i saj kryesor është të harmonizojë ligjet dhe synimet ekzistuese të BE me një reduktim 55 për qind të emetimeve neto deri në 2030.

Objektivi i mëparshëm ishte një ulje prej të paktën 40 për qind nga nivelet e vitit 1990.

Një element tjetër i paketës është një taksë karboni që do të paguhet nga kompanitë jo-evropiane në kufirin e jashtëm të Bllokut për të garantuar që nuk do të favorizohen importe të papastra.

Taksa do të quhet “mekanizëm i rregullimit të kufirit të karbonit” dhe kompanitë ndotëse që importojnë mallra në BE do të duhet të blejnë leje karboni ETS, një mas që pritet të kundërshtohet nga partnerët tregtarë të BE si Rusia, Kina dhe India.

“Lufta” në minutën e fundit

Për të lehtësuar goditjen, rivalët evropianë të importuesve – industri të tilla si çeliku, çimentoja, alumini, plehrat dhe energjia elektrike – do të shohin heqjen e lejeve ekzistuese të karbonit.

Duke iu referuar burimeve të veta, AFP, i cituar nga France 24, shkruan se ka pasur përplasje serioze në Komisionin Evropian ndërsa drafti po përmbyllej.

Veçanërisht të ndjeshme ishin masat për të imponuar lëndë djegëse të qëndrueshme dhe ndoshta më të shtrenjta në sektorë që përballen me publikun si transporti, ngrohja dhe ftohja – si dhe ndërtimi.

“Duke pasur parasysh pasojat sociale dhe ekonomike të “nënës së të gjitha ligjeve”, kalimi i saj rrezikon të kthehet në një kalvar të dhimbshëm me një rezultat të pasigurt”, paralajmëroi eurodeputeti belg Johan Van Overtveldt.

Një betejë tjetër e madhe do të vijë nga linjat ajrore mbi një masë për të taksuar karburantin e aviacionit për fluturimet brenda Europës. Destinacionet turistike të tilla si Spanja, Portugalia dhe Greqia pritet ta kundërshtojnë propozimin.

Edhe shtetet anëtare në lindje si Polonia, të cilat mbështeten te qymyri, pritet të bëjnë rezistencë.