Sport Revolucioni kinez, Interi ndryshoi gjithçka në 12 muaj. Tani radha e sponsorëve...

Revolucioni kinez, Interi ndryshoi gjithçka në 12 muaj. Tani radha e sponsorëve dhe stadiumit

Një legjendë e “Appiano Gentile” tregon se Rafa Benitez, sapo zëvendësoi Mourinho, kërkoi heqjen e fotove të portugezit nga “Pinetina”. Ideja ishte shmangia e përballjes së përditshme me një të kaluar triumfuese, por të rëndë për pasuesin e “Special One”. Në vend të kësaj, Interi kinez ka ndryshuar gjithçka, duke mbajtur në sfond vetëm ato imazhe të “tripletës”. Synimi është i qartë: kthimi në majë, duke fituar. Dhe për ta bërë këtë, Suning e ka kthyer faqen në vetëm një vit: nga lojtarët simbolikë te drejtuesit teknikë e politikat ekonomike, nga selia te himni.

Kanë ngelur zikaltër një pjesë e vogël e pronarëve, disa sponsorë historikë dhe stadiumi “San Siro”. Por, revolucioni sigurisht nuk ka mbaruar. Procesi i rritjes do të kalojë nga “mutacione” të mëtejshme. Pyetja shtrohet e tillë tashmë: cilat do të jenë lëvizjet e radhës së një klubi, që dëshiron të pozicionohet në elitën botërore? Nëse në merkato mund të hipotetizojmë një sulm për Chiesa në vitin 2020 (i ri, i talentuar dhe italian) dhe një mesfushor karizmatik, cilësor e ndërkombëtar, “kthesat” e ardhshme mund të prekin sponsorët dhe infrastrukturën.

Në “Appiano”, 6 milionë euro po investohen për një ndërtesë të re, që do të presë lojtarët. Ajo pritet të jetë gati në prill. Për stadiumin e ri, gjërat janë padyshim më komplekse, afatgjata dhe potencialisht vendimtare për një kërcim cilësor të një klubi që vazhdon dhe duhet të vazhdojë të rritet. Të tilla janë ambiciet e Suning. Në këto 12 muaj, sponsorët lokalë dhe “globalë” janë shtuar (i fundit është Lenovo), por goditjet më të mëdha do të pikëtakohen me kompanitë “kryesore”.

Lidhja me sponsorin teknik “Nike” është e gjatë (2024), por spikat edhe në shifra, ashtu si europianët e tjerë të mëdhenj. Partneriteti me “Pirelli” është historik, por 19 milionët e përfituara deri në fund të sezonit 2018-2019 (përfshirë bonuset) janë larg nga objektivi. Tani për tani po punohet për një “reklamues” në mëngën e fanellës së Interit, por kontrata me “Pirelli” skadon më 2021, shkruan Gazzetta dello Sport.