Bota Revolucioni në Greqi nuk po duket

Revolucioni në Greqi nuk po duket

Me Alexis Tsipras dhe partinë e tij Syriza, dy vjet më parë në skenën e Athinës dhe të Brukselit hyri një lojtar i ri. Shumë gjëra do të bëheshin krejt ndryshe, por shumë pak gjëra kanë ndryshuar, mendon Spiros Moskovou.

Syriza e majtë nën drejtimin e politikanit të ri Alexis Tsipras, një parti deri atëherë pa përvojë qeverisëse, fitoi në 25 janar 2015 zgjedhjet e parakohshme në Greqi. Tsipras i fitoi zgjedhësit me premtimin se do ta çlironte vendin nga korrupsioni tradicional dhe se do ta negocionte shpëtimin e Greqisë së falimentuar nga e para dhe para së gjithash me krenari me donatorët ndërkombëtarë. Burri me debutimin e një tribuni popullor shpalli se do ta rifitonte dinjitetin e humbur të grekëve të munduar nga kriza. Çfarë ka mbetur dy vjet më vonë nga këto premtime?

Bilanci i së ashtuquajturës marrje revolucionare të pushtetit në Athinë ka kohë që e ka zhgënjyer shumicën e grekëve, siç e dëshmojnë edhe sondazhet më të fundit. Në rast zgjedhjesh të reja, Syriza do të arrinte vetëm 20 përqind të votave, ndërsa partia opozitare konservatore Nea Dimokratia, nën Kyriakos Mitsotakisin ambicioz 34 përqind.

Populistë, jo mëkëmbës të përgjegjshëm

Syriza u zbulua shumë shpejt si një parti thjesht populiste e majtë, vërtet një ventil për shtresa të gjera të shoqërisë greke, por jo si forcë politike për një punë me përgjegjësi në qeveri. Brenda natës ajo lidhi para dy vjetësh një koalicion me partinë populiste të djathtë ANEL, për të siguruar shumicën e nevojshme në parlament. Tri herë i tërhoqi ajo zvarrë zgjedhësit në 2015 para kutive të votimit, me lutjen për të konfirmuar politikën e qeverisë – një luks i tepruar demokratik për një vend, i cili është i varur nga subvencionet në para të partnerëve të tij.

Pas ngurrimeve të gjata, Syriza bëri në verë 2015 një marrëveshje për një paketë të tretë rigoroze ndihmash për Greqinë dhe lufton që atëherë për vënien në jetë të reformave të parashikuara në të. Njësoj si qeveritë pararendëse që prej 2010-ës, edhe qeveria Tsipras ishte e shpejtë për të futur taksa të reja, por zhgënjyese e ngadaltë në vënien në jetë të reformave të premtuara. Në këtë kuptim, qeveria e Syrizës nuk është një kapitull i ri në historinë politike të Greqisë, por të shpresojmë se ishte seria e fundit e së kaluarës. Kjo vlen edhe për luftën e shpallur me të madhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Vërtet që qeveria Cipras e ndërpreu furnizimin e vetëkuptueshëm më parë të oligarkëve të ndryshëm me porosi të dyshimta shtetërore. Por nga ana tjetër ajo u kap në përpjekjen për të ndërtuar oligarkë të rinj miqësorë ndaj Syrizas.

Donatorët ka kohë që janë mësuar

Për donatorët ndërkombëtarë të Greqisë, kabinetet e Alexis Tsiprasit nuk janë partnerët më të këqij. Një parti “e majtë” në qeveri ka gjithmonë shanse më të mira për të imponuar paketa reformash dhe për të justifikuar përballë zgjedhësve programe strikte kursimi. Një qeveri e tillë “progresive” merret vesh edhe më mirë me sindikatat që ngrenë krye.

Por një llogari e tillë mund të ecë vetëm me parakushtin që ekonomia e vendit të rritet. E në Greqi ky parakusht nuk ekziston: ekonomia rrudhet prej vitesh dhe gjoja tepricat e sektorit publik vitin e kaluar u krijuan vetëm sepse shteti i ngriu detyrimet ndaj sipërmarrjeve private. Pra nuk i pagoi borxhet dhe llogaritë e tij. Kështu që edhe dy vjet pas marrjes së pushtetit nga Syriza, Greqia mbetet një fuçi baruti ekonomike dhe sociale./DW