Kryesore Rexhep Qosja: Pas Korkutit, të japë dorëheqjen edhe Gudar Beqiraj

Rexhep Qosja: Pas Korkutit, të japë dorëheqjen edhe Gudar Beqiraj

Akademiku i shquar Rexhep Qosja u shpreh mbrëmë afër mesnatës lidhur me letrën e Akademisë së Shkencave, ku pretendohej se kishin nënshkruar nëntë anëtarë të Akademisë, kryesisht jashtë Shqipërisë. Prof. Rexhep Qosja e mohoi një fakt të tillë. Dje unë bisedova me Prof. Qosen, duke i u marrë vesh se do të japim thelbin e bisedës, pasi më hollësisht Prof. Qosja do t’i shtjellojë në një intervistë ekskluzive në DITA shumë shpejt.

Ja një përmbledhje e bisedës me Prof. Qosen mbrëmë:

“Mua më kanë ardhur dy letra. Një letër më ka ardhur pardje, është me emrat e Altimarit dhe Mandalasë, dhe letrën tjetër që më ka ardhur dje ku janë 23 emra anëtarë nderi të Akademisë shqiptarë dhe të huaj. Kurse kjo tjetra që me erdhi mbrëmë është me 9 emra. Ku shkuan emrat e tjerë? Ku janë 14 emra? Ku shkuan dhe si janë hequr këta emra? Kjo ishte e para.

E dyta. Mua nuk më ka kërkuar askush të shpreh pajtim apo mospajtim me këtë letër që është botuar me të.

E treta, unë jam shprehur qartazi kur Sali Berisha i ka futur përnjëherë 18 vetë a 20 në Akademi. Dhe aty kanë filluar të gjitha problemet e mëvonshme të Akademisë.

E katërta, unë mendoj se për të filluar mirë tani punët në Akademi, ndryshimet në Akademi, pas dorëheqjes së Myzafer Korkutit, duhet të japë dorëheqjen menjëherë Gudar Beqiraj. E do rendi akademik, qytetar dhe demokratik këtë gjë. Ashtu sikurse dha dorëheqje zoti Korkuti pas atyre zgjedhjeve që u cilësuan shumë negative, ashtu duhet të japë dorëheqjen edhe ky (Beqiraj) pasi ka shumë mospajtime. Reforma e Akademisë së shkencave të Shqipërisë është shumë e nevojshme. Mendoj se reforma e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka shumë më tepër probleme se Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe duhet urgjentisht të reformohet. Ajo duhet të ndjekë këtë shembull.

E pesta, mendoj se kudo në këtë botë, të financuarit duhet të japin llogari financiare, morale para shtetit që i financon.

Mendoj se në dy akademitë shqiptare të Shqipërisë  dhe Kosovës duhet të mendojnë për formimin e nje Akademie gjithëkombëtare. Këtë mendim unë e kam shprehur shumë kohë më përpara dhe e kam botuar./DITA