Fluturimi i parë tregtar ndërkombëtar nën qeverinë e re të përkohshme talebane të Afganistanit u nis nga Kabuli duke transportuar më shumë se 100 të huaj, përfshirë disa qytetarë amerikanë që mbetën atje pas transportit kaotik të muajit të kaluar.
Rreth 113 persona ishin në bordin e avionit të Qatar Airways që fluturoi nga Kabuli për në Doha, thanë zyrtarët. Pasagjerët ishin shtetas amerikanë, kanadezë, ukrainas, gjermanë dhe britanikë, tha një burim me njohuri për këtë çështje.
Katari dhe Turqia kanë ndihmuar talebanët të rihapin aeroportin. Në Doha, pasagjeret fillimisht do të qëndrojnë në një kompleks që strehon afganë dhe të evakuuar të tjerë.
Fluturimi shënoi një hap të rëndësishëm në përpjekjet e talebanëve për të krijuar një shtet funksional pasi ata morën pushtetin muajin e kaluar, megjithëse u rritën raportet e dhunës kundër grave, të huajve dhe gazetarëve nga ana e islamistëve.
E dërguara speciale e OKB -së për Afganistanin Deborah Lyons i tha Këshillit të Sigurimit se organizatat joqeveritare që mbështesin gratë ishin në shënjestër, liritë e grave ishin kufizuar dhe stafi afgan i Kombeve të Bashkuara po ngacmohej dhe frikësohej .
Fluturimet ndërkombëtare kanë vijuar ditët e fundit me zyrtarë, teknikë dhe ndihma, por ky ishte fluturimi i parë i tillë civil që nga evakuimi i vrullshëm i 124,000 të huajve dhe afganëve në rrezik që pasoi kolapsin e qeverisë së mbështetur nga SHBA.
Qindra afganë të tjerë në rrezik për shkak të punës së tyre të mëparshme me amerikanët janë mbledhur për më shumë se një javë në qytetin verior të Mazar-e-Sharif, duke pritur lejen për të hipur në fluturimet evakuuese të planifikuara privatisht jashtë vendit.
Edhe pse talebanët siguruan botën se do të linin udhëtarët me dokumente të vlefshme udhëtimi të largoheshin nga vendi, shumë nga ata që ishin bllokuar në aeroportin verior nuk kishin dokumente të tilla.