Bota Rikthim tek aleanca e vjetër, May: Trump e mbështet 100 për qind...

Rikthim tek aleanca e vjetër, May: Trump e mbështet 100 për qind NATO-n

Marrëdhënia speciale është rikthyer. Presidenti Trump deklaroi se, ditë të reja i presin Amerikën dhe Britaninë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, që pasoi një takim që zgjati rreth një orë, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministrja britanike Theresa May janë shfaqur më të përzemërt se kurrë.

Donald Trump nuk i kurseu lëvdatat për marrëdhënien e veçantë mes dy vendeve, ndërsa e quajti “Brexit”-in një mrekulli.

Trump tha se ishte i nderuar nga vizita e zonjës May dhe se marrëdhënia mes dy aleatëve të hershëm nuk ka qenë asnjëherë më e fortë sesa sot.

“Sot Shtetet e Bashkuara rinovojnë lidhjen e thellë me Britaninë, lidhjen ushtarake, financiare, kulturore dhe politike. Së bashku, Amerika dhe Britania e Madhe janë një frymëzim për prosperitetin dhe sundimin e ligjit. Zonja kryeministre, ne presim të punojmë ngushtë me ju. Ditë të mëdha i presin dy popujt dhe dy vendet tona. Në emër të Amerikës, ju falënderoj që jeni këtu sot”, tha Donald Trump.

“Jam shumë e kënaqur që kam mundësinë t’iu përgëzoj për fitoren spektakolare në zgjedhje. Siç e thatë edhe ju, fakti që unë jam këtu flet për fuqinë dhe rëndësinë e marrëdhënies së posaçme, që ekziston mes dy vendeve tona. Një marrëdhënie e bazuar në themelet e historisë, familjes dhe interesit të përbashkët”, tha Theresa May.

Kryeministrja britanike bëri të ditur se Presidenti Trump kishte pranuar një ftesë të Mbretëreshës për një vizitë zyrtare në Britani gjatë këtij viti, e sinjalizoi se ai kishte garantuar për angazhimin e Amerikës ndaj NATO-s.

May konfirmoi se Trump e mbështeste 100 për qind NATO-n, pavarësisht komenteve të kohëve të fundit të tij, kur e quante aleancën transatlantike të vjetruar. Të dy ata iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve për tema të ndryshme, duke filluar nga muri në kufi me Meksikën, Rusia dhe sanksionet ndaj saj, etj.

May bëhet kështu e para udhëheqëse botërore që viziton kreun e ri të Shteteve të Bashkuara, duke vulosur aleancën e hershme me një shtrëngim të ngrohtë duarsh.

Në kontrast me “tapetin e kuq” që iu ofrua kryeministres britanike, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez François Hollande do të kënaqen vetëm me një bisedë telefonike me Presidentin Trump, të shtunën, kur ai pritet të bisedojë edhe me Vladimir Putinin.