Bota Rikthimi i karantinës, serbët protestojnë kundër vendimit të Vuçiçit

Rikthimi i karantinës, serbët protestojnë kundër vendimit të Vuçiçit

Protestues të shumtë mbushën rrugët e Beogradit të martën pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi se vendi do t’i rikthehej karantinës.

Demonstruesit, të cilët u mblodhën para parlamentin, filluan të thërrisnin “dorëhiqu”.

“Presidenti jonë i hoqi masat e emergjencës gjatë kohës së zgjedhjeve dhe tani do t’i rikthejë sërish”, tha një protestues, por presidenti serb i ka mohuar këto pretendime.

Në rrugë pati edhe përplasje mes demonstruesve dhe policisë, të cilët më pas hodhën gaz lotsjellës.

Disa persona tentuan të futeshin me forcë në godinë, por u ndalën nga forcat. Më pas ata filluan t’i qëllonin autoritetet me gurë, vezë dhe shishe.

Serbia regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve gjatë një dite për shkak të koronavirusit, me 299 raste të reja dhe 13 viktima.

Presidenti Vuçiç e quajti këtë situatë “alarmuese dhe kritike” pasi spitalet e vendin janë mbushur pothuajse në limitet e kapaciteteve. Ai tha se të premten do të rikthehej karantinimi nga ora 18:00 deri të hënën në orën 05:00.

Serbia kaloi nga një ndër vendet me masat më të rrepta në Evropë në një rihapje totale në fillim të majit. Që nga fillimi i pandemisë vendi shënon 16,719 raste dhe 330 viktima.