Sport Rikthimi i Rrakllit: Ju tregoj planet e mia në Gjermani

Rikthimi i Rrakllit: Ju tregoj planet e mia në Gjermani

Deri më sot 19 futbollistë shqiptarë janë aktivizuar në Bundesligën gjermane, por ai do të mbetet në histori për faktin se ishte i pari. Po flasim për Altin Rrakllin, i cili në vitin 1992 do të transferohej nga Besa e Kavajës te skuadra e Bundesligës 2 asokohe, SC Freiburg. Por shqiptarit nuk iu desh shumë kohë për t’u mësuar me një vend, por edhe kampionat të ri për të.

Ish-sulmuesi i kombëtares është rrëfyer për gazetën “BILD”: “Një mik i imi u vendos në qytetin e Freiburgut pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri dhe mundi të më rekomandonte të drejtuesit e klubit. Pas një prove 2-javore m’u ofrua një kontratë. Gjithsesi, në aspektin fizik fillimisht nuk isha i përshtatshëm për Bundesligën, sepse në Shqipëri nuk bënim stërvitjen e duhur”.

Por, Rraklli e rikuperoi shumë shpejt këtë mangësi, duke shkëlqyer në ligën e dytë dhe më pas edhe në Bundesligë. Më vonë ai do të luante për Hertha Berlin, Unterhaching dhe Regensburg. Pas një eksperiencë të shkurtër në vendlindje ai e mbylli karrierën e tij në vitin 2009.

Por çfarë bën ai aktualisht? Rraklli gjendet në qytetin e Aues, aty ku e motra e tij, e cila është e martuar me ish-futbollistin tjetër shqiptar, Skerdilaid Curri, jeton prej shumë vitesh.

Altini shprehet më tej: “Do të më pëlqente të punoja si trajner. Kam licencën e duhur për të drejtuar çdo lloj klubi apo kombëtare. Mirëpo, problemi në Gjermani është se këtu ka shumë trajnerë të mirë. Është e vështirë për mua të gjej një punë”.

Rraklli është i gatshëm të drejtojë edhe një ekip femrash, duke qenë se në të shkuarën ai ka qenë edhe trajneri i Kombëtares së Shqipërisë për femra dhe ka eksperiencën e duhur në këtë drejtim.

“Kisha aplikuar në federatë për të punuar si trajner me ekipet e moshave. Por duke qenë se ata po kërkonin një trajner për kombëtaren e femrave, më pyetën nëse doja ta pranoja këtë post”.

Për pesë vjet me radhë, që nga viti 2011, ai ndërtoi skuadrën, duke kërkuar për lojtare me origjinë shqiptare në Evropë e deri në SHBA.

“Sigurisht, ne nuk mund të mateshim me kombëtaret e vendeve të mëdha, por të paktën arritëm të mposhtnim Greqinë në eliminatoret e Botërorit”. Siç dihet, Shqipëria dhe Greqia kanë rivalitet të madh, jo vetëm në futboll, thekson “Bild”.

Por si e sheh ai të ardhmen e futbollit shqiptar në përgjithësi? Sakaq, Shqipëria ia doli të shkonte në finalet e Evropianit “Francë 2016”

Rraklli shfaqet skeptik: “Pasi Hans-Peter Briegel u bë trajner i kombëtares në vitin 2002, gjërat filluan të ecnin mirë. Ai solli një kthesë të fortë për futbollin shqiptar, na disiplinoi”.

Ndërkaq, futbolli shqiptar rrezikon të humbasë lojtarë të rëndësishëm. Rraklli thekson: “Shumë shqiptarë të Kosovës preferojnë tani të luajnë për Kosovën (që nga maji i vitit 2016 është anëtare e Uefa-s). Do të kemi shumë rrjedhje. Presioni i konkurrencës në kombëtare nuk është aq i madh sa më parë”.

Gjithsesi, Rraklli ka në plan të vijojë karrierën e tij si trajner në Gjermani, duke ndjekur shumë ndeshje dhe duke ndërtuar marrëdhënie të reja. “Mezi pres t’u tregoj të tjerëve se çfarë jam në gjendje të bëjë si trajner”.