Kryesore Rikthimi i vizave? Ambasadori i BE: Do shqyrtohet nëse Holanda i dërgon...

Rikthimi i vizave? Ambasadori i BE: Do shqyrtohet nëse Holanda i dërgon raportin KE-së

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka folur për vendimin e Parlamentit të Holandës që ka vendosur për rikthimin e vizave për shqiptarët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në përfundim të një aktiviteti ku merrte pjesë, Soreca u shpreh se rikthimi i vizave për Shqipërinë do të diskutohet vetëm në rast se qeveria holandeze e dërgon raportin e Parlamentit të saj tek Komisioni Europian.

Ai tha se deri më tani nuk ka ndryshuar asgjë për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në Schengen, por i bëri thirrje qeverisë shqiptare dhe asaj holandeze të forcojnë bashkëpunimin në adresimin e problematikave të tilla si, emigracioni i parregullt dhe krimi i organizuar shqiptar.

“Komisioni Europian do të bëjë vlerësimin e vet në rast se qeveria holandeze do të sjellë raportin e vet. Vetë qeveria holandeze në debatin që patën në Parlament nuk është shprehur që ka një lidhje të qartë ndërmjet udhëtimit pa viza dhe krimit të organizuar. Prandaj do të nevojiten të dhëna dhe statistika që të arrihet kjo lidhje që nuk është vërtetuar ende. Pra asgjë nuk ka ndryshuar. Kjo ka qenë e qartë edhe në njoftimin që ka bërë ambasada holandeze në Shqipëri.

Ne ftojmë Shqipërinë dhe qeverinë holandeze të vazhdojnë bashkëpunimin, në fakt ta intensifikojnë këtë bashkëpunim në fushat siç janë emigrimi i parregullt dhe krimi i organizuar. Udhëtimi pa viza është një arritje fantastike për Shqipërinë dhe qytetarët e saj që prej vitit 2010.

Vendimi që u mor në Parlamentin holandez dhe që do shikojmë nëse do jetë qeveria holandeze që do t’i kërkojë Komisionit Europian. Ndërkohë që ka një raport tjetër që do të shikohet në lidhje me çeljen e negociatave që do të ndodhë në Qershor”, u shpreh ambasadori i delegacionit të BE, Soreca.

Parlamenti i Holandës votoi dje një mocion që i rekomandon qeverisë së saj të kërkojë në Bruksel rikthimin e vizave për Shqipërinë. Shkak i parlamentit holandez për rikthimin e vizave është bërë rritja e kriminalitetit nga grupet shqiptare.

Do të jetë qeveria e Holandës që do të vendosë nëse raportin e Parlamentit të saj do ta dërgojë për shqyrtim në Komisionin Europian ose jo.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, qytetarët shqiptarë nuk preken nga lëvizja e lirë në zonat Schengen nëse nuk ka një vendim të Komisionit Europian.